Lajme

Linjë direkte ajrore Kosovë–Portugali? Kusari diskuton mundësinë në Parlamentin portugez

Ministrja Mimoza Kusari, gjatë vizitës zyrtare në Portugali, ka zhvilluar një takim në Parlamentin portugez me përfaqësues të Grupit të Miqësisë Portugali–Kosovë, ku është diskutuar për thellimin e bashkëpunimit politik, ekonomik dhe institucional ndërmjet dy vendeve, shkruan “Bota sot”.

Kusari ka bërë të ditur se në takim me kryetarin e Grupit të Miqësisë Portugali–Kosovë, Bruno Vitorino, si dhe deputetët Edite Estrela, Jose Dotti dhe Miguel Costa Matos, është diskutuar edhe për mbështetjen e Portugalisë në procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Një ndër temat kryesore të takimit ishte mbështetja portugeze për anëtarësimin e Kosovës në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, përfshirë Këshillin e Evropës.

Postim i plotë:

Në kuadër të vizitës zyrtare në Portugali, sot zhvillova një takim në Parlamentin portugez me z. Bruno Vitorino, Kryetar i Grupit të Miqësisë Portugali–Kosovë, si dhe me deputetët Edite Estrela, Jose Dotti dhe Miguel Costa Matos.

Me grupin e miqësisë diskutuam për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, shkëmbimin e përvojave institucionale dhe mbështetjen e Portugalisë për integrimin evropian të Kosovës, për anëtarësimin në organizatat dhe institucionet ndërkombëtare, si dhe mbështetjen për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës.

Vëmendje të veçantë i kushtuam bashkëpunimit ekonomik, ku diskutuam për organizimin e Forumit të Biznesit Kosovë–Portugali në Prishtinë vitin e ardhshëm dhe nënshkrimin e një Marrëveshjeje Bilaterale për Bashkëpunim Ekonomik.

Gjithashtu, trajtuam rëndësinë e vendosjes së një linje të drejtpërdrejtë ajrore ndërmjet Kosovës dhe Portugalisë, e cila do të lehtësonte lidhjet ndërmjet dy vendeve dhe do të kontribonte në zhvillimin e turizmit. U theksua edhe rëndësia e zgjerimit të bashkëpunimit në fushën e industrisë së mbrojtjes dhe teknologjisë së informacionit.

Qëllimi është që këto iniciativa të afrojnë kompanitë portugeze me tregun dhe potencialin e Kosovës, ndërsa bizneseve kosovare t’u krijohen mundësi të reja për të depërtuar në tregun portugez.

Besojmë se Kosova dhe Portugalia kanë shumë për ti ofruar njëra-tjetrës dhe se forcimi i lidhjeve tona politike, institucionale dhe ekonomike do të hapë mundësi të reja për të dy vendet.

Të Ngjashme