Lajme

Apeli kthen në rigjykim rastin ndaj Endrit Nikës, akuzohet për vrasjen e argjentinases

Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe ka kthyer në rigjykim rastin e Endrit Nikës, i cili ishte dënuar me 18 vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e një 27-vjeçareje nga Argjentina në hotelin “Sonoma” në Fushë Kosovë.

Lajmin e ka bërë të ditur avokati Tomë Gashi, i cili aktualisht përfaqëson Nikën.

Gashi ka shkruar se Prokuroria kishte kërkuar që Nika të dënohej me burgim të përjetshëm, ndërsa Gjykata Themelore e kishte dënuar me 18 vjet burgim.

“Gjykata e Apelit ka aprovuar ankesën e mbrojtjes dhe ka vendosur që çështja të kthehet në rigjykim dhe rivendosje”, ka shkruar Gashi.

Sipas tij, vendimi i Apelit është i rëndësishëm për mënyrën se si duhet të trajtohet procesi penal.

“Ky vendim është i rëndësishëm, sepse në këtë proces penal e vërteta nuk mund të ndërtohet mbi supozime, interpretime apo paragjykime”, ka deklaruar ai.

Avokati Gashi ka theksuar se, sipas tij, përcaktimi i përgjegjësisë penale duhet të mbështetet në prova.

“Ajo duhet të përcaktohet vetëm mbi PROVA”, ka shkruar Gashi.

Rasti tash do të shqyrtohet sërish në procedurën e rigjykimit, pas vendimit të Gjykatës së Apelit.

Të Ngjashme