Ish shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Arbërie Nagavci, ka theksuar se pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, prioritet kryesor i vendit duhet të jetë formimi sa më i shpejtë i institucioneve dhe funksionalizimi i plotë i tyre.
Sipas saj, Kosova ka nevojë urgjente për konstituimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e Presidentit/es dhe vazhdimin e agjendës institucionale me vendime që adresojnë çështjet e shumta të mbetura pezull.
Nagavci ka theksuar se qytetarët kanë votuar për institucione funksionale dhe jo për bllokada apo zvarritje politike. Ajo ka shtuar se zgjedhjet e reja kanë qenë të shmangshme, jo vetëm pas zgjedhjeve të shkurtit, por edhe pas atyre të dhjetorit, duke nënvizuar se proceset e përsëritura zgjedhore kanë sjellë humbje kohe institucionale dhe kosto financiare për shtetin.
Postim i plotë:
Pas certifikimit të rezultatit të zgjedhjeve të 7 qershorit, prioriteti i vendit duhet të jetë krijimi sa më i shpejtë i institucioneve. Kosova ka nevojë për funksionalizimin e Kuvendit, formimin e Qeverisë, zgjedhjen e Presidentit/es dhe ecjen përpara me punët e shumta që presin zgjidhje.
Qytetarët kanë votuar për institucione që punojnë, jo për bllokada e zvarritje. Zgjedhjet e reja mund të ishin shmangur. Mund të ishin shmangur pas zgjedhjeve të shkurtit. Mund të ishin shmangur edhe pas atyre të dhjetorit. Por veçanërisht pas rezultatit të fundit, është e qartë se qytetarët kanë folur me një zë të qartë dhe të përsëritur.
Tri herë me radhë është dhënë i njëjti mesazh: Lëvizja Vetëvendosje mbetet forca më e madhe politike në vend. Jo vetëm kaq, por mbështetja qytetare për Lëvizjen Vetëvendosje vazhdon të jetë më e madhe se ajo e tri partive tjera shqiptare së bashku.
Në vend të reflektimit, disa zgjodhën bllokadën. Në vend të pranimit të realitetit politik, zgjodhën ta çojnë vendin në procese të reja zgjedhore, duke humbur kohë të çmuar institucionale dhe duke i kushtuar miliona euro buxhetit të shtetit.
Sot, kur rezultati po konfirmohet sërish, bëhet edhe më e qartë se qytetarët nuk kërkojnë kalkulime politike, por përgjegjësi, stabilitet dhe punë. Mesazhi i tyre është i qartë: besimi fitohet me punë dhe mbahet me rezultate.
