Profesori i kriminalistikës, Ervin Karamuço tregoi në emisionin Now në Euronews Albania detaje nga atentati mafioz me 2 të vrarë në Fier.
Karamuço tha se autorët kanë vrarë të parin nipin e viktimës për shkak të ngjashmërisë së madhe fizike.
Sipas tij, kemi të bëjmë me një grup shumë të organizuar vrasësish me pagesë, nisur nga armët e sofistikuara të përdorura në krim.
“Por është grup shumë profesionist, ka paguar shumë për të bërë këtë lloj goditjeje. Unë e pashë dhe nga armët janë armë MP5, janë armë moderne që përdorin disa prej organizatave ligjzbatuese, po që nuk gjenden kollaj në tregun tonë. Duhet t’i kërkosh ose bashkëpunim me grupe të tjera mund t’i gjesh dhe mund t’i përdorësh. Mendoni të përdorësh këto, se janë armë të djegura quhen. Pra, ti përdor dhe i hedh. Ne jemi mësuar me kallashnikov, jemi mësuar me TT e me ku di unë, po jo me këto armë, me heshtues, me të tjerë e të tjerë. Do të thotë që është një grup i strukturuar, i cili e ka goditjen e radhës. Nuk është goditja e parë ose e dytë dhe e ka të radhës, dhe ato kamuflazh me maska, vrasje me pagesë, edhe ato të policisë, uniformat që ka përdorur. Dyshohet që mund, si profil, mund të ketë marrë pjesë në vrasje të tjera me pagesë”, tha Karamuço./Euronewsalbania
