Lajme

Atmosferë e zjarrtë në Zvicër, çka tha Kurti para mërgatës – këto janë disa nga mesazhet

Në një tubim me mërgatën në Zvicër, Lëvizja Vetëvendosje ka organizuar një mbrëmje me pjesëmarrje të madhe të bashkatdhetarëve, me flamuj kuqezi dhe të Kosovës, brohoritje dhe atmosferë të zjarrtë.

Kryeministri Albin Kurti ka folur për mbështetjen e mërgatës ndër vite dhe prioritetet e qeverisë, duke theksuar zhvillimin ekonomik, sigurinë dhe mirëqenien sociale.

Ai ka bërë thirrje për mobilizim në zgjedhjet e 7 qershorit, duke promovuar programin qeverisës dhe sloganin “Krejt për shtet, shtet për krejt – 116”.

Sipas tij, qeveria synon rritje ekonomike, mbështetje për investime private dhe ulje të varfërisë përmes politikave sociale dhe zhvillimore.

Shkrimi i plotë nga Lëvizja:

Mërgata në Zvicër ja qiti pikën: Krejt për shtet, shtet për krejt 116

Mbrëmje e zjarrtë, sallë e mbushur plot, flamuj kuqezi dhe të Kosovës që valëviteshin në çdo cep, brohoritje të pandalshme dhe energji e jashtëzakonshme. Në Zvicër, bashkatdhetarët dëshmuan edhe një herë se janë Krejt për Shtet dhe Shtet për Krejt. Dëshmuan që janë fuqishëm me Lëvizjen VETËVENDOSJE! dhe me Albin Kurtin Kryeministër.

Në tubimin e mbajtur me mërgatën, Kryeministri Albin Kurti, foli për rrugëtimin politik të Lëvizjes, mbështetjen ndër vite të mërgatës dhe synimet për mandatin e ardhshëm qeverisës. Ai vuri theksin te puna për qytetarin, zhvillimi ekonomik, siguria dhe angazhimi për një shtet që u shërben të gjithëve, duke bërë thirrje për mobilizim e mbështetje në zgjedhjet e 7 qershorit.

Disa nga mesazhet:

Na keni mbështetur në kohë të vështira, në situata të rënda, atëherë kur është dukur se gjendja ishte e pashpresë. Por ju asnjëherë nuk e keni lënë Lëvizjen VETËVENDOSJE!, dhe Lëvizja VETËVENDOSJE! asnjëherë nuk ju ka lënë juve.

Në zgjedhjet e shkurtit, me pulsin 116, i grumbulluam gati 400 mijë zemra. Më 28 dhjetor, me pulsin 116, u bënë bashkë gati 500 mijë zemra. E tash, më 7 qershor, me të njëjtin puls 116, le t’i kalojmë 500 mijë zemra, sepse nëse nuk u dalin boll 51.1%, atëherë le ta bëjmë 60% e më shumë.

Programi ynë, që vjen nga populli ynë, është punë për qytetarin, mirëqenie për familjen, mbrojtje të shtetit dhe lartësim të kombit tonë.

Qeveria jonë ka qenë dhe do të jetë shërbim për publikun, kurrsesi privilegj për pakicën. Investimet tona krijojnë shtet dhe qytetarë të sigurt, si dhe shoqëri e familje të begata.

Ky mandat është mandat për ta kthyer fuqishëm sigurinë dhe mirëqenien në përditshmërinë e qytetarit, investimet dhe prodhimtarinë në zakonin e ndërmarrësve tanë. Rishpërndarjen sociale nga rritja jonë ekonomike nuk e shohim si barrë për zhvillimin, por pikërisht si karburant të tij. Duke e shpërndarë rritjen ekonomike, e kemi zvogëluar varfërinë dhe pabarazinë, si dhe e kemi rritur kërkesën agregate në ekonomi, e cila më tej e ka shtuar qarkullimin e bizneseve dhe rritjen e mëtejshme ekonomike.

Ne nuk subvencionojmë pasurinë, por punën që e krijon pasurinë. Jo rezultatet e veçanta private, por mënyrën universale publike. Prandaj, në katërvjeçarin e ardhshëm, do të vëmë në dispozicion 1 miliard euro garanci sovrane, të cilat do të shërbejnë si hipotekë për të garantuar investimet private në fabrika dhe në prodhim. Kjo është mënyra se si i vëmë në funksion burimet tona natyrore dhe fuqinë tonë punëtore.

7 qershori është dita. E diela është dita si zakonisht, numri është i njëjtë: 116.

Kjo qeveri, për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, ka nevojë që të gjithë ne, secila e secili, të bëhemi bashkë – krejt për shtet, për një shtet që është për krejt.

Pra: Krejt për shtet, shtet për krejt. Krejt për shtet, shtet për krejt.

E për Krejt për shtet, shtet për krejt, më 7 qershor, 116 – qitja pikën!

Të Ngjashme