Në margjina të Forumit Ministror BE – Ballkani Perëndimor për Drejtësinë dhe Çështjet e Brendshme që po mbahet në Budvë, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla ka takuar sot zëvendësministren e Brendshme të Lituanisë, Ana Burkovskiene, me të cilën ka diskutuar mbi thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve mike.
Sveçla ka falënderuar zëvendësministren Burkovskiene për kontributin e vendit të saj përmes pjesëmarrjes së trupave të saj ushtarake në misionin paqeruajtës KFOR, duke thënë se Lituania mbetet një përkrahëse e palëkundur e Kosovës në rrugëtimin e saj drejt integrimit evropian.
“Theksuam se përballemi me sfida të përbashkëta të sigurisë dhe biseduam për mundësitë e bashkërendimit të përpjekjeve për t’i adresuar dhe tejkaluar ato”, ka shkruar Sveçla në një postim në Facebook.
Lituania më 1 janar 2027 do të merr Presidencën e Këshillit të Bashkimit Evropian, për të cilën ministri Sveçla the se do të krijojë mundësi të reja për avancimin e mëtejmë të marrëdhënieve me Kosovën.
