Lajme

Austria nikoqire e Procesit të Berlinit më 2027, Zulfaj diskuton me ambasadorin Schnetzer

Kryenegociatori i Kosovës, Jeton Zulfaj, ka pritur në takim ambasadorin e Austrisë në Kosovë, Georg Schnetzer, me të cilin ka diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve, procesin e integrimit evropian dhe avancimin e bashkëpunimit rajonal.

Gjatë takimit, Zulfaj ka shprehur mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë ndaj Kosovës, veçanërisht në procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe ka vlerësuar partneritetin dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet dy vendeve.

Vëmendje e veçantë i është kushtuar Procesit të Berlinit dhe rolit të Austrisë në avancimin e bashkëpunimit rajonal gjatë vitit të ardhshëm, pasi ky shtet do të jetë nikoqir i këtij procesi në vitin 2027.

Në këtë kontekst, Zulfaj ka theksuar rëndësinë e zbatimit të plotë të marrëveshjeve të arritura, veçanërisht atyre që lidhen me lëvizjen me letërnjoftime me Bosnjë e Hercegovinën, si dhe njohjen e diplomave dhe profesioneve.

Sipas tij, zbatimi i këtyre marrëveshjeve krijon mundësi për studentët dhe punëtorët, ndërsa përkthimi i tyre në përfitime konkrete për qytetarët dhe bizneset mbetet thelbësor për thellimin e bashkëpunimit rajonal.

Të Ngjashme