Lajme

Avokati Besnik Berisha reagon për rastin e policit Besart Ahmeti

Avokati Besnik Berisha ka reaguar lidhur me rastin e kapitenit të Policisë së Kosovës, Besart Ahmeti, duke thënë se në opinion është krijuar një narrativë që, sipas tij, nuk përputhet me provat që ekzistojnë për ngjarjen.

Përmes një statusi në Facebook, Berisha ka thënë se për disa ditë ka zgjedhur të heshtë, ndonëse, sipas tij, për Ahmetin janë bërë akuza dhe pretendime të shumta publike.

Heshtja ka kuptim vetëm për aq kohë sa nuk keqpërdoret për t’i dhënë zë gënjeshtrës”, ka shkruar Berisha.

Ai ka deklaruar se Ahmeti është paraqitur në publik si sulmues dhe si person që dyshohet për kanosje, sharje, fyerje e lëndime, ndërsa sipas versionit të mbrojtjes, rrethanat e ngjarjes janë ndryshe.

Berisha ka thënë se ka qenë personalisht me Ahmetin gjatë paraqitjes së tij në Inspektoratin Policor të Kosovës, ku, sipas tij, kapiteni ka dhënë rrëfimin e tij për ngjarjen dhe ka demantuar pretendimet ndaj tij.

Sipas avokatit, arsyeja e heshtjes ka qenë respektimi i procedurave institucionale.

“E vërteta për një ngjarje që është objekt hetimi nuk përcaktohet nga ai që arrin i pari te mikrofoni, as nga ai që e përsërit më së shumti versionin e vet, por nga faktet dhe provat që i nënshtrohen verifikimit institucional”, ka shkruar Berisha.

Berisha: Ekzistojnë dëshmitarë dhe pamje nga ngjarja

Avokati ka pretenduar se për rastin ekzistojnë dëshmitarë, kamera të sigurisë dhe materiale audiovizuale që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të incidentit.

Sipas tij, pamjet mundësojnë që të verifikohet dinamika e ngjarjes, komunikimi mes personave të përfshirë dhe sjellja e tyre.

Berisha ka kërkuar që deklaratat e dhëna pas incidentit të mos trajtohen si fakte të provuara pa u krahasuar me provat materiale.

“Do të ishte shumë më e ndershme që secili të presë se çfarë tregojnë provat për atë që ka ndodhur në të vërtetë”, ka shkruar ai.

“Ahmeti nuk ishte në detyrë”

Sipas Berishës, në momentin e incidentit Besart Ahmeti nuk ishte në detyrë dhe nuk ishte i uniformuar.

“Kapiteni Besart Ahmeti atë ditë nuk ishte në detyrë, nuk ishte në uniformë dhe nuk ishte duke ushtruar autoritet policor. Ishte qytetar, me rroba civile, në një qendër tregtare, bashkë me bashkëshorten dhe dy fëmijët e tij”, ka deklaruar Berisha.

Ai ka pretenduar se, sipas provave që disponon mbrojtja, Ahmeti ishte sulmuar, provokuar dhe fyer në prani të familjes së tij.

Berisha ka theksuar se pas incidentit Ahmeti, sipas tij, nuk e ka marrë drejtësinë në duart e veta, por e ka denoncuar rastin dhe ka kërkuar ndërhyrjen e Policisë.

“Nuk kërkoi privilegj nga grada dhe as mbrojtje nga uniforma. Kërkoi mbrojtjen e ligjit”, ka shkruar avokati.

Kërkohet hetim i plotë

Berisha ka thënë se mbrojtja nuk kërkon imunitet apo trajtim të privilegjuar për Ahmetin, por hetim të plotë për të gjitha pretendimet.

Ai ka kërkuar që të hetohet edhe incidenti i denoncuar nga Ahmeti, të verifikohen deklaratat e palëve dhe të krahasohen ato me pamjet e kamerave dhe materialet audiovizuale.

“Një hetim i tillë nuk na shqetëson. Përkundrazi, insistojmë në të”, ka shkruar Berisha.

Sipas tij, as një kallëzim penal dhe as një deklaratë nuk përbëjnë vetvetiu një të vërtetë të gjykuar. Ai ka theksuar se pretendimet duhet të mbështeten dhe verifikohen përmes provave.

“Policia e Kosovës nuk duhet të përdoret si strehë për versionin e cilësdo palë”

Në reagimin e tij, Berisha ka kundërshtuar edhe atë që e quan përpjekje për ta paraqitur rastin si konflikt mes një qytetari dhe Policisë së Kosovës.

“Policia e Kosovës është shumë më e madhe se Kapiteni Besart Ahmeti, shumë më e madhe se personat e tjerë të përfshirë në këtë rast”, ka shkruar ai.

Berisha ka thënë se institucioni duhet të respektohet dhe se emri i Policisë së Kosovës nuk duhet të përdoret për të mbështetur versionin e njërës apo tjetrës palë.

Ai ka theksuar se Prokuroria dhe Inspektorati Policor i Kosovës janë të lirë dhe të detyruar të hetojnë çdo dyshim, ndërsa mbrojtja, sipas tij, do të bashkëpunojë me institucionet.

“Prokuroria heton, provat verifikohen dhe gjykata vendos”, ka shkruar Berisha.

Në fund, avokati ka thënë se reagimi i tij nuk ka për qëllim transferimin e çështjes nga institucionet në Facebook, por, sipas tij, rikthimin e vëmendjes te provat.

“Deri sot kemi heshtur nga respekti për ligjin dhe procedurën. Nëse dikush këtë heshtje e ka kuptuar si mungesë faktesh, si dobësi apo, edhe më keq, si pranim të historisë që është ndërtuar ndërkohë, ka gabuar rëndë”, ka përfunduar Berisha.

Të Ngjashme