Avokati Naim Cami ka drejtuar kritika të ashpra ndaj presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, duke e akuzuar për, siç thotë ai, “servilizëm të tepruar dhe ambicie të sëmurë për rizgjedhje”.
“Osmani ka lajthitur dukshëm në përpjekjen për t’u rikthyer sërish në një pozitë që nuk e meriton dhe kjo ambicie, po shfaqet edhe përmes paraqitjeve publike dhe aktiviteteve jashtë zyrës presidenciale”, tha ai.
Ai e kritikon presidenten edhe për mënyrën e komunikimit me qytetarët, duke thënë se “në takimet me popullin nuk arrin ta fshehë injorancën dhe dështimin e saj politik”.
Sipas tij, këto veprime janë pjesë e një tentative për të siguruar një mandat të dytë.
Cami shprehet gjithashtu kritik ndaj zhvillimeve brenda LDK-së, duke pretenduar se “ka përpjekje për degradim të mëtejshëm të partisë përmes lidhjeve dhe interesave të caktuara politike”.
Megjithatë, ai shton se beson që “anëtarësia e vërtetë e LDK-së do të rikthejë vlerat e mirëfillta të Ibrahim Rugova dhe do të kundërshtojë këto zhvillime”.
Në fund, avokati Cami thekson se, sipas tij, “këto procese do ta përcaktojnë përfundimisht Vjosa Osmanin si njësi matëse të servilizmit të sëmurë”.
