Avokati i Hashim Thaçit, Luka Misetiq, ka bërë të ditur se mbrojtja do ta apelojë aktgjykimin e shkallës së parë të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, duke pretenduar se gjatë procesit gjyqësor janë bërë shkelje të të drejtave themelore të ish-presidentit të Kosovës.
Në një deklaratë pas shpalljes së aktgjykimit, Misetiq ka thënë se Thaçi shpreh mirënjohje për mbështetjen që ai, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi kanë marrë nga qytetarët e Kosovës dhe nga mbështetësit ndërkombëtarë.
Në të njëjtën kohë, ai ka bërë thirrje që qytetarët e Kosovës të mbeten paqësorë në reagimin ndaj aktgjykimit.
“Avokatët e z. Thaçi do ta apelojnë aktgjykimin e djeshëm të gjykimit para Panelit të Apelit të Dhomave të Specializuara të Kosovës, duke pretenduar gabime të rëndësishme në ligj dhe në fakte, të cilat kanë cenuar drejtësinë e procesit”, ka deklaruar Misetiq.
Sipas avokatit, mbrojtja gjatë gjithë procesit kishte ngritur shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, veçanërisht për mënyrën e marrjes në pyetje nga anëtarët e trupit gjykues.
“Gjatë gjykimit, Mbrojtja ngriti vazhdimisht shqetësime lidhur me drejtësinë procedurale, përfshirë shtrirjen e gjerë të pyetjeve të bëra drejtpërdrejt nga anëtarët e Panelit të Gjykimit, në një mënyrë që nuk krijonte paraqitjen e paanshmërisë”, ka thënë ai.
Misetiq ka pretenduar se ndërhyrjet e trupit gjykues kanë kaluar, sipas mbrojtjes, kufijtë e kërkimit neutral të së vërtetës dhe kanë cenuar standardin e paanshmërisë të kërkuar nga standardet ndërkombëtare të drejtësisë.
“Mbrojtja mban qëndrimin se këto ndërhyrje gjyqësore e kaluan kufirin e kërkimit neutral të së vërtetës, duke cenuar paraqitjen e paanshmërisë që kërkohet sipas standardeve ndërkombëtare të drejtësisë”, ka deklaruar ai.
Avokati i Thaçit ka kundërshtuar edhe bazën provuese mbi të cilën, sipas tij, është mbështetur konstatimi i fajësisë përtej dyshimit të arsyeshëm.
“Mbrojtja parashtron se konstatimet e Panelit të Gjykimit për fajësi përtej dyshimit të arsyeshëm mbështeten në prova të pamjaftueshme dhe të pakorroboruara”, thuhet në deklaratë.
Misetiq ka ngritur veçanërisht çështjen e vrasjes së Behajdin Allaqit, për të cilën tha se Paneli i Gjykimit e ka lidhur publikisht Thaçin me këtë vrasje, ndërkohë që më herët kishte urdhëruar që rasti të mos diskutohej publikisht dhe provat përkatëse të mbaheshin konfidenciale.
“Paneli i Gjykimit dje publikisht pretendoi se z. Thaçi ishte i përfshirë në vrasjen e Behajdin Allaqit, pasi kishte urdhëruar të gjitha palët në rast që të mos e diskutonin rastin e z. Allaqi në seancë publike dhe pasi kishte urdhëruar që të gjitha provat lidhur me atë rast të mbaheshin konfidenciale”, ka thënë Misetiq.
Sipas tij, kjo ka bërë që Thaçi të shpallet fajtor publikisht për një vrasje, ndërsa provat mbi të cilat është mbështetur ky përfundim kanë mbetur jashtë shqyrtimit publik.
“Z. Thaçi do ta mirëpriste një shqyrtim të tillë publik të provave”, ka deklaruar avokati.
Mbrojtja ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë aktgjykimin edhe për shkak të pretendimeve për shkelje të të drejtave për një gjykim të drejtë, të garantuara nga Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut dhe Kushtetuta e Kosovës.
“Z. Thaçi e mohon shprehimisht çdo përfshirje në vrasje”, thuhet në deklaratë.
Në fund, Misetiq ka theksuar se respektimi i standardeve të rrepta të drejtësisë procedurale është i rëndësishëm për ruajtjen e besimit të publikut në institucionet ndërkombëtare të drejtësisë penale.
Mbrojtja ka paralajmëruar se do ta dorëzojë zyrtarisht njoftimin për apel, duke kërkuar nga Paneli i Apelit korrigjimin e, siç pretendon ajo, gabimeve faktike, juridike dhe procedurale të konstatuara në aktgjykimin e shkallës së parë.
