Lajme

Bahtiri: “Në emër të popullit serb” mund të propozojë vetëm Vuçiqi, jo Igor Simiqi në Kosovë

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri, ka reaguar pas deklarimit të deputetit të Listës Serbe, Igor Simiq, në Kuvendin e Kosovës.

Bahtiri ka kritikuar formulimin e përdorur nga Simiqi gjatë propozimit për nënkryetar të Kuvendit, duke thënë se ai nuk e bëri propozimin në emër të Listës Serbe, por “në emër të popullit serb”.

“‘Në emër të popullit serb’ mund të propozojë vetëm Vuçiqi në Serbi, e jo Igor Simiqi në Kosovë!”, ka shkruar Bahtiri.

Sipas tij, në Kuvendin e Kosovës të gjithë deputetët përfaqësojnë Republikën e Kosovës dhe një deklarim i tillë është, siç pretendon ai, në kundërshtim me Kushtetutën.

“Në këtë Kuvend jemi të gjithë deputetë të Republikës së Kosovës. Ky gjest i tij është antikushtetues”, ka deklaruar Bahtiri.

Ai ka kërkuar që institucionet e drejtësisë dhe organet hetimore ta shqyrtojnë deklarimin e Simiqit dhe rrethanat në të cilat është bërë.

“Si deputet, kërkoj nga organet e hetuesisë dhe drejtësisë që ta vlerësojnë këtë deklarim dhe kontekstin në të cilin është bërë. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë”, ka përfunduar Bahtiri.

Të Ngjashme