Zyrtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Mefail Bajqinovci, ka reaguar pas vendimit të Gjykatës Supreme për pezullimin e përkohshëm të procedurës së gradimeve në Policinë e Kosovës, duke vlerësuar se ky vendim rrezikon t’u shkaktojë padrejtësi mijëra zyrtarëve policorë.
Sipas Bajqinovcit, vendimi i nxjerrë pas ankesës së një zyrtareje policore po cenon pritjet dhe të drejtat e policëve që, sipas tij, kanë shërbyer me përkushtim për më shumë se një dekadë dhe kanë pritur mundësinë e avancimit në karrierë.
“Është e papranueshme që një vendim i vetëm të përmbysë pritjet dhe të drejtat e policëve që kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm për rendin dhe sigurinë në vend”, ka shkruar ai.
Bajqinovci ka theksuar se mohimi i mundësisë për gradim dhe avancim për një periudhë kaq të gjatë përbën cenim serioz të parimit të barazisë dhe të të drejtave në punë.
Ai ka shtuar se policët meritojnë drejtësi, trajtim të barabartë dhe mundësi reale për zhvillim profesional, ndërsa ka vlerësuar se vendime të tilla prodhojnë pasoja për interesin e përgjithshëm dhe për të drejtat e zyrtarëve policorë.
“Mbi 10 vjet pritje për avancim dhe në fund një vendim i gjykatës i shkel të drejtat e zyrtarëve policorë”, ka përfunduar Bajqinovci.
