Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami, ka kritikuar ashpër gjendjen në sektorin e shëndetësisë, duke e cilësuar atë si pasojë të keqqeverisjes dhe korrupsionit gjatë gjashtë viteve të fundit.
Përmes një reagimi publik, Bajrami tha se gjendja reale e shtetit nuk duhet të vlerësohet nga konferencat për media apo shifrat që prezanton qeveria, por nga kushtet në institucionet shëndetësore.
Ajo u bëri thirrje qytetarëve të vizitojnë klinikat e Pediatrisë, Gjinekologjisë, Onkologjisë, Ortopedisë dhe Emergjencës për të parë, sipas saj, mungesat, listat e gjata të pritjes dhe vështirësitë me të cilat përballen pacientët dhe stafi mjekësor.
Bajrami theksoi se përgjegjësia për këtë situatë nuk bie mbi mjekët dhe infermierët, të cilët, sipas saj, punojnë në kushte të vështira dhe vazhdojnë ta mbajnë funksional sistemin shëndetësor.
Deputetja e zgjedhur e LDK-së akuzoi pushtetin për keqmenaxhim të fondeve publike, duke thënë se, megjithëse çdo vit në dispozicion ka pasur rreth katër miliardë euro buxhet, shëndetësia vazhdon të përballet me mungesë barnash, materiale mjekësore dhe furnizime bazë.
Sipas saj, në sistemin shëndetësor zhvillohen tenderë me vlera të mëdha për pastrim, çarçafë, ushqim dhe barna, por pacientët vazhdojnë të përballen me mungesa serioze. Ajo përmendi edhe raportimet për mungesën e barnave për trajtimin e kancerit të gjirit në QKUK, duke pretenduar se pacientët detyrohen t’i blejnë vetë terapitë.
Bajrami vlerësoi se gjendja në shëndetësi “ka emër” dhe e lidhi atë me korrupsionin, ndërsa shtoi se përgjegjësinë politike e mban pushteti aktual, duke përfshirë edhe Komisionin parlamentar për Shëndetësi, i cili, sipas saj, udhëhiqet nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
“Nëse dështon shëndetësia, nuk dështon vetëm qeveria, por dështon shteti”, ka deklaruar Bajrami.
Reagimi i Bajramit vjen një ditë pasi Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK) ka pranuar me seriozitet shqetësimet e ngritura publikisht lidhur me përvojën e një familjeje, rasti i Aulona Memeti, gjatë trajtimit të fëmijës së tyre në Klinikën e Pediatrisë.
Për këtë arsye, drejtori i QKUK-së ka marrë vendim për formimin e një komisioni ad-hoc, i cili po zhvillon një hetim të plotë administrativ për të verifikuar të gjitha rrethanat e rastit.
