Bashkimi Evropian ka miratuar të hënën pagesën më të madhe të vetme për Ukrainën që nga krijimi i instrumentit financiar “Ukraine Facility”, duke i hapur rrugë transferimit të afro 8 miliardë eurove për rimëkëmbjen dhe reformat e vendit.
Sipas Këshillit të BE-së, pagesa vjen pas përmbushjes nga Ukraina të më shumë se 20 objektivave të reformave, që përfshijnë sistemin e drejtësisë, luftën kundër korrupsionit, parandalimin e pastrimit të parave, tregjet financiare, energjinë dhe transformimin digjital, shkruan Anadolu.
Rreth 5 miliardë euro nga kjo shumë vijnë nga fondet e vëna në dispozicion përmes Huadhënies për Mbështetjen e Ukrainës në vitin 2026.
Financimi synon të forcojë stabilitetin makroekonomik të vendit, të mbështesë rindërtimin dhe modernizimin, të sigurojë vazhdimësinë e shërbimeve publike dhe të përshpejtojë reformat.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e mirëpriti vendimin, duke falënderuar Komisionin Evropian dhe Këshillin Evropian për miratimin e pagesës.
Ai shprehu gjithashtu mirënjohje për presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, për “përpjekjet e saj personale për të përshpejtuar përgatitjen e kësaj pagese”, në një kohë kur Ukraina përballet me nevoja të shtuara buxhetore përpara dimrit dhe me intensifikimin e sulmeve ruse.
“Është e rëndësishme që ky vendim vjen pas përmbushjes nga Ukraina të më shumë se 20 zotimeve për reforma dhe rikonfirmon se Ukraina i përmbush ato për të cilat pajtohemi me BE-në”, shkroi Zelensky në platformën X.
“Është thelbësore që ky progres të reflektohet edhe në hapjen e dy grupeve të mbetura të negociatave për anëtarësimin në BE”, shtoi ai.
I krijuar në mars të vitit 2024, instrumenti “Ukraine Facility” parasheh mbi 50 miliardë euro në grante dhe kredi për mbështetjen e rimëkëmbjes, rindërtimit dhe modernizimit të Ukrainës deri në vitin 2027.
