Lajme

Begaj reagon për herë të parë për protestat: Mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës dhe lirive të qytetarëve

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka reaguar për herë të parë lidhur me protestat që po zhvillohen në Tiranë, duke theksuar se e drejta e qytetarëve për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta.

Gjatë ceremonisë së 100-vjetorit të krijimit të Prefekturës së Tiranës, Begaj u shpreh se zhvillimet aktuale në kryeqytet vijnë në një moment kur qytetarët po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore.

“Ky aktivitet zhvillohet në një moment kur qytetarë po shprehin publikisht shqetësimet dhe pritshmëritë e tyre në mënyrë paqësore. Në respekt të pozicionit kushtetues, neutralitetit  kushtetues, mund të theksoj se e drejta për t’u shprehur dhe për të marrë pjesë në jetën publike është një vlerë e mbrojtur nga Kushtetuta, e cila duhet të ushtrohet në  pajtim me Kushtetutën dhe ligjet e vendit.

Konsolidimi i demokracisë dhe zhvillimi i qëndrueshëm i vendit mbështeten në angazhimin e përbashkët të qytetarëve dhe institucioneve për të vepruar në përputhje me Kushtetutën dhe interesin  kombëtar dhe atë publik. Korniza kushtetuese,  së bashku me rregullat e shtetit ligjor dhe  demokracisë përbëjnë garancinë kryesore për funksionimin e drejtë të shoqërisë. Si President i Republikës, mbetem i përkushtuar në mbrojtje të Kushtetutës, të të drejtave dhe lirive themelore të qytetarëve, si dhe në nxitjen e një klime bashkëpunimi dhe dialogu që i shërben interesit kombëtar dhe publik, të ardhmes evropiane dhe përkatësisë dhe vlerave Euroatlantike të vendit”, deklaroi Begaj.

Të Ngjashme