Lajme

Bekim Sejdiu u tërhoq nga kandidatura, reagon Lumir Abdixhiku

Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas tërheqjes së Bekim Sejdiut nga kandidatura për president të Kosovës, duke e vlerësuar atë për dinjitetin dhe karakterin e treguar gjatë procesit.

Abdixhiku ka thënë se tërheqja e Sejdiut, sipas tij, përballë asaj që e cilëson si “histeri politike”, dëshmon pikërisht se ai do të ishte zgjedhja e duhur për president.

“Bekim Sejdiu tregoi dinjitet. Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President”, ka shkruar Abdixhiku.

Ai ka shprehur keqardhje që Kosova aktualisht nuk ka president dhe se, në vend të një zgjidhjeje politike, vendi është përballur me kaos dhe bllokadë politike.

“Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka kritikuar gjithashtu sulmet ndaj Sejdiut gjatë procesit, duke thënë se ai është bërë padrejtësisht shënjestër e tyre.

“Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të”, ka shkruar kreu i LDK-së.

Sipas Abdixhikut, në politikën e sotme urrejtja dhe inati personal po mbizotërojnë ndaj përgjegjësisë institucionale.

“Urrejtja si mjet dhe inati personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit. E rëndësishme t’i bëjmë dëm tjetrit”, ka shkruar ai.

Në fund, Abdixhiku e ka cilësuar situatën politike në Kosovë si “PISA politike”, duke kritikuar bllokadat dhe mundësinë e rikthimit në zgjedhje.

“Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi t’i rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në të tjerat”, ka deklaruar Abdixhiku.

Ai i ka shprehur falënderim Sejdiut për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar gjatë gjithë procesit.

“Të faleminderit Bekim për gatishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë”, përfundon reagimin Abdixhiku.

Shkrimi i plotë:

Bekim Sejdiu tregoi dinjitet.

Tërheqja e tij, përballë histerisë politike, dëshmon pikërisht pse një njeri me karakterin e tillë, do të ishte zgjedhja e duhur për President.

Keqardhje që sot nuk kemi President. Që në vend të një zgjidhjeje kemi kaosin politik, bllokadën si mjet dhe zgjedhjet e reja, edhe një herë, si qëllim.

Keqardhje edhe për Bekimin, që padrejtësisht u bë shënjestër e sulmeve të paprecedenta për mbytjen e karakterit të tij. Përbaltja e tij kishte të bënte më së paku me të. Urrejtja si mjet dhe inati personal si karakteristikë e pashpjegueshme e politikanëve të sotëm, janë bërë më të forta se përgjegjësia ndaj vendit. E rëndësishme t’i bëjmë dëm tjetrit.

Sa shumë kemi nevojë për njerëz të mirë në këtë vend. Sa lehtë i hedhim poshtë.

Kjo është PISA politike e Kosovës. Me rëndësi të rrënojmë çdo përpjekje normale sot! Bllokohemi, ngecim, urrejmë, mbysim karaktere dhe përfundojmë sërish në zgjedhje. Edhe pas tyre, në te tjerat.

Të faleminderit Bekim për gadishmërinë dhe dinjitetin e treguar në vazhdimësi. Në kohë të politikës së sotme, këto virtyte janë vlerë.

 

Të Ngjashme