Lajme

​Berisha pret pafajësinë e ish-krerëve të UÇK-së, dënon kërcënimet ndaj Kosovës

Kryetari i Partisë Demokratike të Shqipërisë, Sali Berisha, ka shprehur besimin e tij se ish-krerët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës do të shpallen të pafajshëm nga Dhomat e Specializuara në Hagë, sot.

Në një postim të publikuar mbrëmë, para shpalljes së aktgjykimit të sotëm, Berisha e ka cilësuar 16 shtatorin si një ditë të veçantë, ndërsa ka thënë se gjatë procesit gjyqësor, sipas tij, nuk është paraqitur asnjë provë që i mbështet akuzat.

“Nesër në Hagë, gjykata, pas një procesi të zgjatur gjashtëvjeçar, shpall vendimin e marrë kohë më parë për ish-udhëheqësit politikë të Kosovës. Të gjithë ata që me interes të veçantë kanë ndjekur këtë proces, nuk kanë dëgjuar apo lexuar një provë të vetme që mbështet akuzat për të cilat ata u arrestuan”, ka shkruar Berisha, të martën mbrëma.

Ai ka deklaruar se për shqiptarët mund të ketë vetëm një përfundim: pafajësinë e ish-udhëheqësve të Kosovës.

“Urojmë që ata të kthehen të pafajshëm siç janë, kryelartë, heronj të çlirimit të Kosovës”, ka shtuar kreu i PD-së.

Berisha, ndërkaq, ka dënuar çdo kërcënim ndaj rendit, paqes dhe sigurisë në Kosovë, në rast se aktgjykimi nuk është ai që pritet nga mbështetësit e ish-krerëve të UÇK-së.

“Kërcënimet që i bëhen Kosovës, rendit, paqes dhe sigurisë së saj në rast të një vendimi ndryshe nga Gjykata e Hagës, janë absolutisht të papranueshme, absurde dhe të dënueshme. Kosova nuk mund të paguajë asgjë për një vendim gjyqësor të padrejtë”, ka përfunduar kryetari i PD-së.

Të Ngjashme