Eksperti i çështjeve të sigurisë dhe marrëdhënieve ndërkombëtare Ilir Kulla, ka thënë se pavarësisht marrëveshjes mes ShBA-së dhe Iranit, mes palëve ka mosbesim të lartë.
Ai duke folur për marrëveshjen e arritur mes dy vendeve ka thënë se ende nuk ka asgjë të nënshkruar.
“Nuk ka zgjidhje të nënshkruar, që është me rëndës. Ka pasur një seancë të parë. Mosbesimi i palëve është i lartë”, ka thënë Kulla në emisioin “MATRIX” me Mehmet Kalisin në Tëvë1.
Kulla ka përmendur edhe dy pikat e forta që sipas tij, ShBA nuk heqë dorë, por që ato i vlerëson që janë cështje e sovranitetit të Iranit.
“ShBA ka dy pika të forta, nuk tërhiqet nga eleminimi i 600 kg uranium të pasuruar me të cilët mund të prodhohet bomba bërthamore dhe moslejimi i pasurimit të uraniumit tjetër. Për Iranin, çështja e uraniumit që ata kanë 600 kg dhe çështja tjetër e pasurimit të uraniumit, është çështje e sovranitetit kombëtar. Është propozuar që në vijimin e 60 ditëve të bisedimeve të ketë inspektime të Agjencisë Ndërkombëtare Atomike në inspektimin në Iran, ku do të ketë edhe ekspert amerikan. Pra, përherë të parë amerikanët sjellin në tavolinë pasi kishin përjashtuar deri në këtë moment sjellin në tavolinë OKB-në”, ka thënë Kulla.
Të diellin përfaqësuesit e ShBA-së dhe Iranit zhvilluan raundin e parë të bisedimeve që u mbajt në Zvicër.
Zëvendëspresidenti amerikan JD Vance tha se është arritur tashmë një “…përparim i madh…”.
“Asnjëherë më parë lidershipi iranian dhe ai amerikan nuk janë takuar në një nivel kaq të lartë. Ajo që presidenti na ka kërkuar të bëjmë është të hapim një faqe të re për të transformuar marrëdhënien tonë me popullin e Iranit dhe t’i shtrijmë dorën popullit të Iranit që nëse lidershipi juaj është i gatshëm të heqë dorë nga të qenit nxitës i paqëndrueshmërisë rajonale, nëse është i gatshëm të heqë dorë nga ambiciet për armë bërthamore për një kohë të gjatë, atëherë Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të transformojnë rrënjësisht marrëdhënien tonë me atë vend. Ky është sigurisht qëllimi ynë. Ne kemi bërë tashmë përparim të madh vetëm gjatë orëve të fundit dhe pres që të bëjmë përparim shtesë në orët në vijim”, tha ai.
Megjithatë, ndërsa negociatat ishin në zhvillim e sipër, presidenti amerikan Donald Trump lëshoi një paralajmërim të ri ndaj Iranit përmes rrjetit social Truth Social.
Trump kërcënoi me sulme të reja nëse Teherani, sipas tij, nuk ndalon mbështetjen për “përfaqësuesit e tij në Liban”, një referencë e drejtpërdrejtë ndaj grupit Hezbollah.
Deklaratave të presidentit amerikan iu kundërpërgjigj kryetari i Parlamentit iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, i cili në një postim në rrjetin social X tha se Irani është i gatshëm të reagojë ndaj çdo veprimi kundër tij, nëse kjo bëhet e nevojshme.
Negociatorët amerikanë dhe iranianë janë takuar në Zvicër për rundin e parë të bisedimeve teknike që nga nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit për përfundimin e konfliktit.
