19.07.2026 – 10:47
Bllokimi i mërgimtarëve: Veturat nisin të kalojnë përgjatë kufirit Kroaci-Serbi, autobusët jo
Numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova raportohet se kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë që nga ora 02:00 e natës, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.
Një qytetare që ndodhet në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë, ka bërë të ditur për Klankosova.tv se situata ka ndryshuar pjesërisht.
Sipas saj, autoritetet kanë nisur të lejojnë kalimin e veturave, ndërsa autobusët vazhdojnë të mbesin të bllokuar.
Ajo tha se, deri më tani, vetëm shtatë autobusë janë lejuar të vazhdojnë udhëtimin, ndërsa të tjerët po presin ende në kolonë.
Qytetarja theksoi se pritjet vazhdojnë të jenë të gjata dhe vijonë qysh nga mesnata.
19.07.2026 – 09:50
Bllokohen mërgimtarët në kufirin Kroaci-Serbi, nuk iu lejohet lëvizja – kërkojnë ndërhyrjen e shtetit
Numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova raportohet se kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë që nga ora 02:00 e natës, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.
Një qytetar që ndodhet në vendngjarje, tha se autoritetet nuk po lejojnë lëvizjen e automjeteve, ndërsa kolonat janë të gjata dhe pritjet po zgjasin me orë të tëra.
Ai thotë se shumë prej udhëtarëve kanë mbetur pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa në mesin e tyre ka edhe familje me fëmijë, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të temperaturave të larta dhe pritjeve të gjata.
Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet për arsyet e bllokimit apo kohën kur pritet të normalizohet qarkullimi. Ndërkohë, udhëtarët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.
Media ka kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Kroaci si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme kroate për të marrë përgjigje lidhur me shqetësimin e mërgimtarëve.
