Lajme

Bllokohen mërgimtarët në kufirin Kroaci-Serbi, nuk iu lejohet lëvizja – kërkojnë ndërhyrjen e shtetit

Numër i madh i mërgimtarëve nga Kosova raportohet se kanë mbetur të bllokuar në pikëkalimin kufitar Bajakovo-Lipovac, në kufirin ndërmjet Kroacisë dhe Serbisë që nga ora 02:00 e natës, pa mundur të vazhdojnë udhëtimin.

Një qytetar që ndodhet në vendngjarje, tha se autoritetet nuk po lejojnë lëvizjen e automjeteve, ndërsa kolonat janë të gjata dhe pritjet po zgjasin me orë të tëra.

Ai thotë se shumë prej udhëtarëve kanë mbetur pa ushqim dhe pa ujë, ndërsa në mesin e tyre ka edhe familje me fëmijë, të cilat po përballen me vështirësi për shkak të temperaturave të larta dhe pritjeve të gjata.

Deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar nga autoritetet për arsyet e bllokimit apo kohën kur pritet të normalizohet qarkullimi. Ndërkohë, udhëtarët kërkojnë një zgjidhje sa më të shpejtë të situatës.

Klankosova.tv ka kontaktuar me Ambasadën e Kosovës në Kroaci si dhe me Ministrinë e Punëve të Brendshme kroate për të marrë përgjigje lidhur me shqetësimin e mërgimtarëve. 

Të Ngjashme