Lajme

Bondsteel-i si bazë e përhershme amerikane – ekspertët flasin për sigurinë e Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përsëritur qëndrimin që Kampi “Bondsteel” në Kosovë të shndërrohet në një bazë të përhershme ushtarake amerikane. 

Këtë çështje Kurti e ka diskutuar gjatë takimit në New York me kongresistin amerikan George Latimer, me të cilin ka biseduar edhe për sigurinë, bashkëpunimin Kosovë-SHBA dhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO.

Kurti ka thënë se prania e përhershme ushtarake amerikane në Kosovë do të ishte në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjatë në rajon. 

Ai e ka cilësuar Shtetet e Bashkuara si një aleat të rëndësishëm të Kosovës, duke theksuar edhe mbështetjen dypalëshe që, sipas tij, Kosova gëzon në Kongresin amerikan. 

“Ritheksova qëndrimin tonë që Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”.

Dashevci: Kampi Bondsteel është ombrell e sigurisë për ne si shtet 

Image
Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, tha se shndërrimi i Kampit Bondsteel në bazë të përhershme ushtarake amerikane do të ishte një arritje e madhe për Kosovën, duke rritur sigurinë dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. 

Ai për “Bota sot” theksoi se Kosova e sheh SHBA-në si aleat strategjik dhe synon anëtarësimin në NATO. 

“Që Bondsteel të bëhet bazë e përhershme ushtarake amerikane, duke diskutuar me kongresistin George Latimer me shumë kongresistë dhe senatorë nga SHBA por edhe aspiratën e Kosovës për anëtarësim në NATO ështê kërkesë e kahmotshme dhe në kontinuitet nga ana e Republikës së Kosovës.

Republika e Kosovës është aleat strategjik dhe partner i SHBA- së në çdo aspekt dhe të kemi një bazë të përhershme do të thotë siguri e plotë për ne kundrejt çdo sfide të sigurisë që mund të na paraqitet.

“Pra Kampi ‘Bondsteel’ të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane, në funksion të paqes, stabilitetit dhe sigurisë afatgjate në rajon”. do të ishte aritje e madhe për ne si shtet,sepse kemi pasur sfida të mëdha të sigurisë veçanarisht e kam fjalën për Serbinë dhe qasjen e sajë destruktive kundrejt vendit tonë” – tha ai.

Eksperti thekson se shndërrimi i Kampit Bondsteel në bazë të përhershme amerikane do të rriste sigurinë dhe do të ishte garanci më e madhe për Kosovën.

“Kampi Bondsteel është ombrell e sigurisë për ne si shtet mendoj unë.

Kampi “Bondsteel”  duhet gjithsesi mendoj unë të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane sepse do ta rriste sigurinë e Kosovës një bazë e përhershme amerikane.

Dhe  Bondsteel si bazë e përhershme amerikane në Republikën e Kosovës gjithsesi se do të ishte një garanci edhe më e madhe për sigurinë e Kosovës”, thekson ai.

Racaj: “Bondsteel”-i i përhershëm amerikan do të ishte një shtyllë shumë e rëndësishme e sigurisë së Kosovës

Image
Prof. Dr. Muhamet Racaj

Kurse, Prof. Dr. Muhamet Racaj, ne bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” vlerësoi se shndërrimi i Bondsteel-it në bazë të përhershme amerikane do të rriste sigurinë dhe parandalimin në Kosovë, por theksoi se siguria duhet të mbështetet edhe në KFOR, FSK dhe integrimin euroatlantik.

“Po. Shndërrimi i “Bondsteel”-it në bazë të përhershme amerikane do të kishte rëndësi të madhe strategjike për Kosovën dhe rajonin. Prania e përhershme e SHBA-së do të forconte parandalimin dhe do të dërgonte një mesazh të qartë ndaj çdo përpjekjeje për destabilizimin e Kosovës.

Megjithatë, siguria e Kosovës nuk duhet të mbështetet vetëm në një bazë ushtarake. Ajo duhet të ndërtohet mbi praninë e KFOR-it, partneritetin strategjik me SHBA-në, forcimin e FSK-së dhe integrimin euroatlantik”, u shpreh ai.

Mes tjerash, ai thotë se “Bondsteel”-i i përhershëm amerikan do të rriste sigurinë e Kosovës, por garancia më e qëndrueshme mbetet anëtarësimi në NATO dhe forcimi i partneritetit me SHBA-në.

“Po, do ta rriste ndjeshëm efektin parandalues dhe sigurinë e Kosovës. Por duhet bërë një dallim i rëndësishëm: prania e përhershme amerikane nuk është automatikisht e barabartë me garancinë e Nenit 5 të NATO-s, pasi Kosova ende nuk është anëtare e Aleancës.

Përfundim: “Bondsteel”-i i përhershëm amerikan do të ishte një shtyllë shumë e rëndësishme e sigurisë së Kosovës, por garancia më e qëndrueshme afatgjatë mbetet integrimi i Kosovës në NATO dhe forcimi i partneritetit strategjik me SHBA-në. Prania amerikane, KFOR-i i fuqishëm, FSK-ja profesionale dhe perspektiva euroatlantike duhet të funksionojnë së bashku si pjesë e një arkitekture të qëndrueshme të sigurisë”, përfundoi Racaj në përgjigjen e dhënë për “Bota sot”.

Të Ngjashme