Lajme

Buzhala: Kosova nuk i ka thënë “jo” gazit amerikan, ja çfarë ka ndodhur në të vërtetë

Analisti Viktor Buzhala ka reaguar lidhur me debatin për gazin amerikan LNG, duke theksuar se Kosova nuk e ka refuzuar atë, por ka orientuar bashkëpunimin drejt terminalit të planifikuar të LNG-së në Vlorë

Sipas tij, Kosova dhe Shqipëria kanë nënshkruar marrëveshje bashkëpunimi që në vitin 2022 për zhvillimin e këtij terminali, i cili do të mundësonte rigazifikimin e LNG-së amerikane dhe lidhjen e saj me rrjetin e gazsjellësve.

Buzhala sqaron se LNG transportohet në gjendje të lëngshme me anije dhe për përdorim kërkon terminale të posaçme për rigazifikim, ndërsa aktualisht terminali më i afërt funksional ndodhet në Aleksandropulos të Greqisë.

Postimi i plotë:

Kosova nuk i ka thënë JO gazit amerikan.

Por, gazi amerikan LNG mund të merret vetëm përmes terminaleve ku ai, nga gjendja e lëngshme, rigazifikohet dhe kthehet sërish në gjendje të gaztë.

Terminali më i afërt është ai i Aleksandropulosit, në Greqi.

Ndërkohë, Kosova kishte nënshkruar marrëveshje me Shqipërinë qysh në vitin 2022 për bashkëpunim në zhvillimin e terminalit LNG në Vlorë.

Pra, Kosova ishte bërë pjesë e projektit të Vlorës dhe kishte orientuar bashkëpunimin e saj drejt kësaj rruge për shfrytëzimin e LNG-së.

Për sqarim, LNG-ja amerikane transportohet me tankerë përmes oqeanit. Gazi natyror ftohet në rreth -162 gradë Celsius dhe shndërrohet nga gjendja e gaztë në të lëngshme, sepse kështu zë shumë më pak hapësirë dhe mund të transportohet me anije.

Për ta kthyer sërish në gjendjen e gaztë dhe për ta futur në sistemin e gazsjellësve, nevojitet terminal për rigazifikim.

Një terminal i tillë ishte planifikuar në Vlorë, projekt në të cilin Kosova është përfshirë përmes marrëveshjes së bashkëpunimit me Shqipërinë qysh para katër vjetësh.

Të Ngjashme