Të martën është miratuar Projektligji për krijimin e Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, gjatë prezantimit të projektligjit para Komisionit për Legjislacion, ka thënë se ky mekanizëm synon rritjen e besimit të qytetarëve në sistemin e drejtësisë, si dhe forcimin e kontrollit mbi pasurinë e zyrtarëve publikë.
Sipas saj, Byroja do të mundësojë verifikimin e pasurive dhe konfiskimin e atyre që nuk përputhen me të ardhurat e ligjshme, duke i kaluar ato në favor të shtetit.
“Do të rrisë qasjen dhe besimin e qytetarëve në drejtësi. Byroja shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme është mekanizëm vital, është instrumenti kryesor për të siguruar që pasuria e zyrtarëve publik, të jetë e verifikueshme dhe në përputhje me të ardhurat e ligjshme. Përveç se garanton që pasuria e krijuar në shpërputhje me të ardhurat e ligjshme do të konfiskohet dhe do t’i kthehet shtetit, ligji njëkohësisht kontribuon që të hiqen dyshimet edhe për pasuritë dhe zyrtarët, të cilët pasurinë e tillë e kanë krijuar në rrugë ligjore”, ka deklaruar Gërvalla.
Ky projektligj nuk kaloi pa kundërshtime, pasi hasi në rezistencë nga opozita, e cila u përfshi në debat me përfaqësuesit e pushtetit lidhur me procedurat dhe përmbajtjen e tij.
Ndërkohë, nga ekspertët miratimi i këtij projektligji është vlerësuar si një hap i rëndësishëm drejt forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit, duke u konsideruar një mekanizëm që synon rritjen e transparencës dhe besimit të qytetarëve në institucione.
Sipas vlerësimeve, kjo nismë shihet si dëshmi e vullnetit politik për të adresuar pasurimin e paligjshëm dhe për të forcuar llogaridhënien institucionale, duke krijuar kushte për një kontroll më të rreptë të pasurisë së zyrtarëve publikë.
Po ashtu, theksuan se krijimi i këtij mekanizmi pritet të ndikojë në rritjen e transparencës dhe përgjegjësisë në institucione, si dhe në forcimin e sundimit të ligjit në vend, ndërsa kundërshtimet ndaj tij lidhen kryesisht me çështje procedurale dhe interpretim të kompetencave.
Halilaj: Projektligji për Byronë, hap kyç drejt luftës kundër korrupsionit
Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot”, e ka vlerësuar miratimin e Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një hap të rëndësishëm drejt forcimit të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit.
Ai ka thënë se kjo dëshmon vullnetin politik të LVV-së për ta luftuar pasurimin e paligjshëm në dëm të qytetarëve.
“Miratimi i Projektligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga Komisioni për Legjislacion përbën një hap të rëndësishëm dhe të shumëpritur drejt forcimit real të shtetit ligjor dhe luftës kundër korrupsionit në vend, duke reflektuar qartë vullnetin politik të Lëvizjes Vetëvendosje për të adresuar një nga plagët më të mëdha të shoqërisë sonë, atë të pasurimit të paligjshëm në kurriz të qytetarëve”, ka thënë ai.

Gazmend Halilaj
Sipas tij, kjo Byro do të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe do të forcojë besimin e qytetarëve në drejtësi.
“Ky projektligj synon të krijojë një mekanizëm të pavarur dhe efikas që do të verifikojë burimin e pasurisë së zyrtarëve publikë dhe personave të ekspozuar ndaj korrupsionit, duke mundësuar konfiskimin e asaj pasurie që nuk mund të justifikohet me të ardhura të ligjshme, çka në vetvete është një instrument i fuqishëm për të rikthyer besimin e qytetarëve në drejtësi dhe institucione. Përfitimet kryesore që pritet të sjellë kjo Byro janë rritja e transparencës, forcimi i llogaridhënies, parandalimi i abuzimeve me pushtetin dhe krijimi i një klime ku askush nuk është mbi ligjin, pavarësisht pozitës apo ndikimit politik”, është shprehur ai.
Po ashtu, Halilaj ka shtuar se kundërshtimi i opozitës ndaj këtij projektligji lidhet me pretendime procedurale, por sipas tij mund të shihet edhe si rezistencë ndaj ndryshimeve që prekin interesa të caktuara.
“Kundërshtimi i opozitës ndaj këtij projektligji shpesh lidhet me pretendime për procedura apo shqetësime për kompetencat e Byrosë, por në thelb ai mund të interpretohet edhe si një rezistencë ndaj ndryshimeve që cenojnë interesat e grupeve të caktuara që kanë përfituar nga mungesa e kontrollit dhe transparencës në të kaluarën. Në këtë kontekst, miratimi i këtij projektligji duhet parë si një moment kyç në ndërtimin e një shteti më të drejtë dhe më të barabartë, ku sundimi i ligjit nuk mbetet vetëm parim në letër, por shndërrohet në praktikë konkrete në shërbim të qytetarëve”, ka deklaruar Halilaj.
Mehmeti: Transparenca dhe konfiskimi i pasurisë ilegale janë çelësi i zhvillimit të Kosovës
Ndërkaq, analisti politik, Gani Mehmeti e ka cilësuar formimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme si një arritje të madhe në forcimin e llogaridhënies dhe përgjegjësisë institucionale.
“Formimi i Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme duhet të jetë dhe të kuptohet një e arritur e madhe në kuptimin e llogaridhënies, apo të përgjegjësisë.
Korropsioni ka ardhur në mungesë të llogaridhënies apo përgjegjësisë.
Nëse ne mendojmë të ecim përpara, duhet të jemi të përgjegjshëm dhe të zbatohet llogaridhënia e secilit person, madje, më shumë duhet kërkuar nga ata në pozita sa më të larta shtetërore, sepse ata duhet të parët ta luftojnë korrupsionin”, ka vlerësuar ai.

Gani Mehmeti
Gjithashtu, Mehmeti në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka deklaruar se kundërshtimi ndaj formimit të Byrosë lë të kuptohet se po pengohet nga persona të përfshirë në korrupsion.
Sipas tij, ata që e luftojnë këtë proces frikësohen se mund të detyrohen të kthejnë pasurinë e fituar në mënyrë të paligjshme.
“Lufta kundër formimit të kësaj byroje, lë të kuptohet se pikërisht të përfshirët në korrupsion, e pengojnë formimin e kësaj byroje dhe do ta luftojnë zbatimin deri në fund.
Këtë e tregon edhe tensioni në Komisionin për Formimin e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme. Përndryshe, nuk do duhej të luftohej fare prej askujt që ia duan të mirën shtetit të Kosovës. Është për keqardhje nga ata që luftohet, dhe me sa shihet, gjithherë do të jenë kundër, sepse do duhej ta kthejnë gjithë atë pasuri të fituar në mënyrë të paligjshme”, ka shtuar ai.
Tutje, Mehmeti ka theksuar se si pozita ashtu edhe opozita duhet t’u përmbahen procedurave ligjore gjatë procesit, duke shtuar se qëllimi kryesor duhet të mbetet kthimi i pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme.
“Sa u përket procedurave, edhe pozita duhet t’u përmbahet, por edhe opozita nuk do duhej të ishte kundër, përveç që të shkohet sipas ligjit, për të mos rënë kundër ligjit. Sa u përket përmbajtjeve, ajo duhet të jetë vetëm një: Të kthehet pasuria e fituar në mënyrë të paligjshme.
Kjo do të ishte një hap i rëndësishëm në forcimin e luftës kundër korrupsionit dhe pasurisë së pajustifikueshme, që doemos edhe fort duhet të luftohet, sepse e degradon edhe shtetin në nivel ndërkombëtar por edhe e varfëron atë. Sikur të mos kishte ndodhur korrupsioni, Kosova do të ishte shumë më larg në zhvillimin e saj, sa edhe një numër i madh nuk do të ikte jashtë Kosovës, sepse do të mund të jetonte e vepronte brenda saj”, ka cekur ai.
Ai vlerëson se, kundërshtimi i opozitës ndaj formimit dhe zbatimit të Byrosë ngre dyshime për pasurim të paligjshëm, duke theksuar se kush nuk ka shkelur ligjin nuk ka arsye t’i frikësohet këtij mekanizmi.
“Përfitimet kryesore që pritet të sjellë krijimi i kësaj Byroje për transparencën dhe sundimin e ligjit në radhë të parë do të ishte kënaqësia e popullit, sepse korrupsioni e ka bërë pesimist masën edh për punë, edhe për jetë, edhe për shkollim, edhe për studim. Pra, nuk do ndjehej masa më e zhgënjyer nga ata që janë në pozita dhe do fitonin zemër për punë e jetë në vendin e tyre. Ndërsa edhe shteti do të zhvillohej, e me zhvillimin e tij, do të hapeshin edhe vende pune.
Proceset e formimit të Byrosë dhe zbatimin e kundërshton opzita,sepse, aludohet se ata u pasuruan brenda natës. Dhe, kundërshtimi i opozitës për formimin e saj dhe lufta kundër zbatimit, lë të kuptohet se kjo është e vërtetë. Ndonjëri që nuk është i korruptuar, është i sigurt se nuk e kap fare Byroja.
E, kjo shihet nga vetë ata që në Komision e kanë kundërshtuar, sepse kjo i bie, sikur mizën e kanë pas veshit! Nëse këtu unë jam gabim, do të gëzohesha”, ka përfunduar Mehmeti për “Bota sot”.
