Lajme

​Byzylyku me safir i familjes Romanov thyen parashikimet e ankandit, shitet për 4,9 milionë dollarë

Një byzylyk që përmban një safir gjigant, i cili dikur ishte pjesë e xhevahireve të kurorës perandorake ruse, u shit për gati 5 milionë dollarë, duke tejkaluar ndjeshëm vlerësimin e bërë para ankandit.

Safiri i familjes Romanov, me peshë 197,80 karatë dhe formë jastëku, është vendosur në një byzylyk gjeometrik me diamante, të punuar nga argjendari “Cartier”, njofton shtëpia e ankandeve “Sotheby’s”, e cila shiti këtë bizhuteri dje në Gjenevë, raporton KosovaPress.

Çmimi i shitjes prej 4,1 milionë frangash zvicerane nënkupton se byzylyku e tejkaloi ndjeshëm vlerësimin fillestar, i cili varionte nga 850 000 deri në 1,7 milionë franga zvicerane.

Familja Romanov ishte dinastia e fundit monarkike ruse. Sundimi i saj mori fund në vitin 1917, kur Cari Nikolla II abdikoi nga froni në fillim të Revolucionit Rus. Vitin pasues, familja u ekzekutua nga bolshevikët.

Nuk dihet saktësisht se kur e siguruan familja Romanov këtë safir, por sipas njoftimit të ankandit ai mund të shihet së bashku me një gur tjetër të ngjashëm në pjesën e përparme të një fundi të veshur nga Perandoresha Maria Feodorovna, gjatë një balloje në vitin 1883.

Pas Revolucionit Rus, koleksioni i familjes Romanov u shit nga sovjetikët gjatë viteve 1920. Më pas, në vitin 1927, ky safir u ble nga një figurë e njohur e shoqërisë së lartë, Ganna Walska.

Sipas shtëpisë së ankandeve, në atë kohë bizhuteria ishte e vendosur në një gjerdan, ndërsa kur u shit si pjesë e pasurisë së Walska në vitin 1971, ajo ishte transferuar në një gjerdan tjetër, më të shkurtër. Në vitin 2015, “Cartier” e vendosi safirin në byzylykun ku shihet edhe sot.

Edhe në ankande të mëparshme, bizhuteritë e familjes Romanov janë shitur për shuma më të larta se vlerësimet fillestare. Në vitin 2021, një karficë me safirë dhe diamante, së bashku me vathët përkatës, u shitën për 806 500 franga zvicerane në “Sotheby’s”, pothuajse dyfishi i kufirit të sipërm të vlerësimit të bërë para ankandit.

Të Ngjashme