Autoriteti Rrugor Shqiptar njofton se nga 13 nëntori do të nisin punimet në aksin nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit, në kuadër të projektit për përmirësimin infrastrukturor dhe estetik të segmentit.
Punimet përfshijnë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin, sistemin e ndriçimit dhe përmirësimin e shtresave asfaltike.
Gjatë ndërhyrjeve do të devijohet përkohësisht njëra prej korsive, ndërsa qarkullimi do të vijojë në korsitë e tjera. ARRSH u kërkon drejtuesve të mjeteve të respektojnë sinjalistikën e përkohshme dhe udhëzimet e punonjësve në terren.
NJOFTIMI
Autoriteti Rrugor Shqiptar vijon zbatimin e projektit “Plotësimi i punimeve dhe përmirësimi estetik nga Sheshi Shqiponja deri te nënkalimi i Limuthit”, i cili synon plotësimin e elementeve infrastrukturore dhe përmirësimin estetik të këtij aksi rrugor.
Në kuadër të këtij projekti, duke filluar nga data 13.11.2026, do të nisin punimet e parashikuara, të cilat përfshijnë ndërtimin e mbikalimeve për këmbësorët, gjelbërimin e segmentit rrugor, realizimin e sistemit të ndriçimit rrugor, si dhe përmirësimin e shtresave asfaltike në segmentin nga Sheshi Shqiponja deri në pikën e lidhjes me autostradën e re. Gjithashtu, do të realizohen edhe punime të tjera të parashikuara në projekt.
Gjatë zhvillimit të punimeve, në zbatim të planit të menaxhimit të trafikut, do të bëhet devijimi i përkohshëm i njërës prej korsive të qarkullimit, duke garantuar vijimësinë e lëvizjes së mjeteve në korsitë e tjera të disponueshme.

Kontraktori ka marrë masat e nevojshme për organizimin e trafikut, vendosjen e sinjalistikës së përkohshme dhe zbatimin e të gjitha masave të sigurisë rrugore, me qëllim garantimin e sigurisë së përdoruesve të rrugës dhe të personelit që në kantier.
Kërkojmë mirëkuptimin e drejtuesve të mjeteve gjatë zhvillimit të punimeve, si dhe respektimin e sinjalistikës së përkohshme dhe udhëzimeve të punonjësve në terren.
