Muzeu Historik Kombëtar përkujtoi sot në 158 vjetorin e lindjes Carl Patsch, arkeologun dhe historianin austriak që studioi Shqipërinë dhe ilirët.
I lindur më 12 shtator 1868, Paç drejtoi për disa vite Muzeun Krahinor të Bosnjë-Hercegovinës dhe Institutin për Hulumtime Ballkanike në Sarajevë, në vitin 1921 u vendos në Vjenë, ku vijoi veprimtarinë akademike si profesor në Universitetin e Vjenës.
Studimet e tij të gjera mbi Bosnjë-Hercegovinën, një trevë e banuar në lashtësi nga ilirët, e shtynë Paçin ta zgjeronte interesin shkencor edhe drejt Shqipërisë. Në serinë e botimeve të Institutit të Sarajevës, nën kujdesin e tij, u botuan një sërë veprash mbi gjeografinë, etnografinë dhe folklorin e Shqipërisë, ndër to edhe punime të autorëve shqiptarë.
Rezultatet e kërkimeve të tij arkeologjike dhe etnografike në terren, së bashku me përshkrimet e vendgjetjeve dhe monumenteve të krahinave të Vlorës, Beratit, Apolonisë, Bylisit, Orikut dhe Amantias, Paçi i botoi në veprën “Das Sandschak Berat in Albanien” (“Sanxhaku i Beratit në Shqipëri”), botuar në Vjenë më 1904.
Gjatë viteve 1922–1924, ai u angazhua në Shqipëri në ngritjen e muzeut të parë kombëtar.
Patsch botoi gjithashtu në gjuhën shqipe veprat “Ilirët” dhe “Gjendja ekonomike e kulturore e Shqipnisë në kohën e kalueme”, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në studimin e Shqipërisë dhe të ilirëve.
Carl Patsch u nda nga jeta më 21 shkurt 1945, në Vjenë.
