Lajme

​“Çast” mbërrin në Mitrovicë, Haxhiu: E vërteta po shkruhet në muret e Kosovës

Ushtruesja e Detyrës së Presidentes së Republikës së Kosovës, Albulena Haxhiu, mori pjesë në zbulimin e muralit “Çast” në Mitrovicë, duke theksuar rëndësinë e ruajtjes së kujtesës për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.

Sipas saj, murali “Çast” po kalon nga qyteti në qytet dhe po shndërrohet në një udhë të kujtesës, pasi pas Prishtinës, Therandës, Pejës dhe Mitrovicës, ai do të vendoset edhe në Drenas, Gjakovë, Gjilan, Ferizaj dhe Prizren.

Haxhiu tha se kujtesa nuk duhet të mbetet vetëm në salla përkujtimore, por duhet të jetë e pranishme edhe në hapësirat publike, pranë shkollave, shtëpive dhe rrugëve ku qytetarët kalojnë çdo ditë.

Ajo theksoi se murali “Çast” u kushtohet personave të dhunuar seksualisht gjatë luftës në Kosovë dhe se përmes tij po bëhet më e dukshme e vërteta dhe historia e tyre.

U.D. Presidentja rikujtoi se krimet e luftës, përfshirë dhunën seksuale gjatë luftës, nuk falen dhe nuk parashkruhen, duke u bërë thirrje institucioneve të drejtësisë që të vazhdojnë punën për hetimin dhe ndëshkimin e autorëve të këtyre krimeve.

Ajo shtoi se, megjithëse një mural nuk mund ta zëvendësojë drejtësinë dhe as ta shuajë dhimbjen, ai ndihmon në ruajtjen e kujtesës kolektive dhe në nderimin e të mbijetuarve, të cilët meritojnë respekt dhe mbështetje të vazhdueshme.

Të Ngjashme