Publicisti Gëzim Mekuli, ka reaguar ashpër ndaj sulmeve dhe kritikave të drejtuara ndaj zyrtarës së LVV-së, Dejona Mihali, duke i cilësuar ato si shfaqje të një mentaliteti primitiv dhe diskriminues ndaj grave në jetën publike.
Përmes një postimi në Facebook, Mekuli ka dënuar gjuhën fyese, shpifjet dhe kërcënimet ndaj Mihalit dhe familjes së saj, duke ngritur shqetësimin për, siç thotë ai, heshtjen e institucioneve, mediave dhe organizatave që zakonisht mbrojnë të drejtat e grave.
Sipas Mekulit, rasti nuk është vetëm çështje politike, por një tregues i një problemi më të thellë shoqëror dhe kulturor që lidhet me trajtimin e grave aktive në politikë, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Burrecat para Teutës antike
Gjithë ky sulm primitiv ndaj një gruaje. Gjithë kjo shpifje kundër një aktivisteje politike.
Sa shumë gënjeshtra ndaj një vajze; sa kërcënime, sa “gurë e dru” po gjuhen mbi këtë grua; ndaj Dejona Mihalit.
Çfarë dehumanizimi! Çfarë drame! Çfarë gjuhe e ulët dhe çnjerëzore ndaj familjes patriotike shqiptare, familjes Mihali!
Çfarë pasqyre e shëmtuar e një mendësie burrash që ende e sheh gruan si plaçkë e pakvlefshme e jo si qenie me dinjitet e me zë publik.
Të nderuar lexues,
Më e rëndë se sulmi primitiv është heshtja. Nuk reagon pothuajse askush. Heshtin shumë prej atyre që flasin çdo ditë për të drejtat e grave. Hesht media. Hesht edhe AGK-ja. Madje, në shumë raste, hesht edhe vetë partia (gjinia) e saj; Vetëvendosje.
Kjo nuk është vetëm çështje politike. Është çështje kulture, qytetarie dhe mentaliteti. Sepse kur një grua, dhe familja e saj komplet, me gjenerata të tëra, sulmohet me gjuhë çnjerëzore vetëm pse është aktive dhe kritike në politikë, problemi nuk është sall te politika; por te mentaliteti ynë, te edukata jonë dhe arsimimi ynë kolektiv.
