Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në mbledhjen e 11-të të Qeverisë ka folur për vizitat e tij zyrtare në Paris dhe Dublin, takimet me liderë ndërkombëtarë dhe rrugëtimin evropian e euroatlantik të Kosovës.
Në adresimin e tij, Kurti ka paralajmëruar edhe tri vendime në sektorin e energjisë, përfshirë ndalimin e tregtimit të energjisë elektrike me kompanitë serbe dhe masat emergjente për furnizim me rrymë, përcjell “Bota sot”.
Ai ka përshëndetur gjithashtu dekretimin e Ligjit për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme nga presidentja Justina Shiroka Pula.
Adresimi i kryeministrit Kurti në mbledhjen e 11-të të Qeverisë
Prishtinë, 16 nëntor 2026
Të nderuar zëvendëskryeministra, ministra dhe zëvendësministra,
Të nderuar punonjës të kabinetit qeveritar dhe të mediave,
Të dashur qytetarë,
Javën e kaluar ishim për vizita zyrtare në Paris për Forumin e Paqes atje dhe në Dublin për Samitin e Komunitetit Politik Evropian (EPC), ditë të dendura me më shumë se tridhjetë takime, pritje, bashkëbisedime, diskutime e aktivitete të ndryshme, prej tyre tetë me krerë shtetesh (presidentë e kryeministra), pastaj me sekretarët e përgjithshëm të NATO-s dhe Këshillit të Evropës. Ndërkaq, pjesa tjetër, jo më pak të rëndësishme, për arsimin, shkencën, kulturën e sportin, teknologjinë dhe inovacionin.
Në kryeqytetin e Francës, u pritëm dy herë në Pallatin Élysée, së pari në mbrëmjen e organizuar nga presidenti Emmanuel Macron dhe Zonja e Parë, Brigitte Macron, e të nesërmen në takim bilateral. Me pritje u nderuam edhe nga presidenti i Senatit, Gérard Larcher, sikur edhe në Asamblenë Kombëtare të Republikës së Francës, ku bashkëbiseduam me përfaqësues të Komisionit për Politikë të Jashtme dhe të atij për Çështje Evropiane. Gjithashtu, pata takime me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan, dhe kryetarin e Parisit, Emmanuel Grégoire
Në Forumin e Paqes mora pjesë në panelin “Making Peace Last: Rebuilding Societies After Ëar”. Pra, ta bësh paqen të qëndrueshme, rindërtimi i shoqërive pas luftës. Në Samitin e Fëmijëve, që u lansua aty, si shtet iu bashkuam Deklaratës Politike, me qëllim mbrojtjen e mirëqenies dhe të drejtave të gjeneratave të reja dhe të ardhmes në përgjithësi. Edukimi dhe shëndeti i fëmijëve, përfshirë ai mendor e psikosocial, teksa po sfidohemi nga teknologjitë e reja dhe kalojmë kohë gjithnjë e më të gjatë para ekraneve, sigurisht që janë jetike.
Në kryeqytetin e Irlandës, në nisje të punimeve të Samitit të Komunitetit Politik Evropian (EPC) u prita nga Taoiseach, kryeministri, Micheál Martin. Pastaj nga ministrja e Jashtme, Helen McEntee. Gjithashtu, u takova e bisedova me kryeministrin e Mbretërisë së Bashkuar, Andy Burnham; të Kanadasë, Mark Carney; të Hungarisë, Péter Magyar; kryeministren e Danimarkës, Mette Frederiksen; presidentin e Zvicrës, Guy Parmelin; si dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte; e atë të Këshillit të Evropës, Alain Berset. Ndërkaq, në Parlamentin e Republikës së Irlandës u pritëm nga përfaqësues të Komitetit për Çështje të Bashkimit Evropian.
Në të dyja këto vizita, e në të gjitha rastet, theksuam përkushtimin ndaj të ardhmes tonë euroatlantike.
Që rrugëtimi zyrtar i Republikës së Kosovës drejt BE-së, nëpërmjet marrjes së statusit të vendit kandidat dhe hapjes së negociatave për anëtarësim, të mos vonohet edhe më tej, është thelbësore që Këshilli të kërkojë mendim nga Komisioni për aplikimin e dorëzuar më 15 dhjetor të vitit 2022, në Pragë të Republikës Çeke, e cila atëbotë mbante presidencën e Bashkimit Evropian. Për ne procesi nuk është më pak i rëndësishëm sesa arritja në cak, meqenëse me përmbushjen e reformave përveçqë lëvizim përpara në rrugën evropiane, përfitojnë qytetarët dhe forcohemi si shtet.
Anëtarësimi në NATO është prioritet strategjik, që do t’i shërbente paqes së qëndrueshme dhe sigurisë afatgjate në Ballkanin Perëndimor dhe në mbarë Evropën. Ndërkaq, pranimi në Këshillin e Evropës, mes tjerash, do t’i mundësonte shtetit tonë pjesëmarrje në mekanizmat evropianë për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore, si dhe qytetarëve të Republikës sonë qasje në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.
Të dashur qytetarë,
Të nderuar anëtarë të kabinetit qeveritar,
Në këtë mbledhje do të kemi edhe tri vendime të rëndësishme që lidhen me sektorin e energjisë.
Së pari, do të ndalojmë tregtimin e energjisë elektrike me kompani serbe, si masë e parë ndaj Serbisë për bllokimin e linjave ndërkufitare për tregtim, e cila mund të përshkallëzohet në ardhmen nëse nuk ka reflektim. Gjithashtu, për t’u përballur me vështirësitë e sektorit të energjisë që vijnë nga bllokimi i këtyre linjave të interkoneksionit 400 kË dhe faktorë të tjerë të brendshëm e të jashtëm, sot po i vendosim KEK-ut obligimin publik për të siguruar një sasi të kapaciteteve ndërkufitare për muajin dhjetor, si dhe po vendosim masa emergjente në energji, që përfshijnë obligimin e Ibër Lepencit për ta shitur energjinë për furnizimin e shërbimit publik.
Të nderuar kolegë të kabinetit qeveritar, të dashur qytetarë të Republikës
Pas shumë përpjekjesh tona, përballë një serie kundërshtimesh e pengesash që na u vunë në rrugë, madje në mënyrë të përsëritur, javën që shkoi presidentja e Republikës, Justina Shiroka Pula, dekretoi Ligjin për Byronë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së Pajustifikueshme.
Urime të gjithëve! Dhe, le të jetë ky fillimi i një kapitulli të ri, të mirë, të mbarë për drejtësi e barazi.
