Spitali Rajonal i Prizrenit ka dalë me njoftim zyrtar lidhur me rastin e raportuar të një vajze 26-vjeçare, e cila vdiq tragjikisht pasi dyshohet se kishte gëlltitur një qese me drogë.
Fillimisht, viktima ishte dërguar në Emergjencën e këtij spitali rreth orës 19:00, nga Policia Kosovës, ku janë kryer ekzaminime dhe më pas është liruara, “pas vlerësimit mjekësor”.
“Me rastin e pranimit, pacientes i janë kryer ekzaminimet e nevojshme diagnostike, përfshirë ekzaminimin radiologjik (RTG nativ të traktit torako-abdominal), ultrazërin e abdomenit, si dhe ekzaminimin gjinekologjik.
Sipas rezultateve të ekzaminimeve të realizuara, nuk janë evidentuar gjetje pozitive.
Pacientja ka qenë në gjendje stabile shëndetësore dhe, pas vlerësimit mjekësor, është liruar nga emergjenca.” – njofton spitali.
Por, pas disa orësh, 26-vjeçarja është dërguar sërish në spital, pa shenja vitale dhe është konfirmuar vdekja e saj.
“Rreth orës 00:45, e njëjta paciente është sjellë sërish në Shërbimin e Emergjencës, nga ekipi i Urgjencës dhe nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, pa shenja vitale.
Menjëherë janë ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme të reanimimit kardiopulmonar (RKP), si dhe është konsultuar mjeku anesteziolog.
Pavarësisht përpjekjeve të ndërmarra nga ekipi mjekësor, pacientja ka përfunduar me exitus letalis.”
Spitali ka shprehur keqardhje dhe ka kërkuar që rrethanat të trajtohen dhe sqarohen nga organet kompetente.
“Institucioni ynë mbetet i gatshëm për bashkëpunim të plotë me organet kompetente dhe për ofrimin e të gjithë dokumentacionit dhe informacionit të nevojshëm për sqarimin e plotë të rrethanave të rastit”.
