Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka përfunduar të premten edhe rinumërimin e 185 vendvotimeve për zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, të cilat i fitoi Lëvizja Vetëvendosje (LVV) e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, në një konferencë për media ka thënë se ky institucion teknikisht është gati të shpallë rezultatet përfundimtare, por sipas ligjit, duhet fillimisht të konsumohet afati prej 48 orësh që palët kanë për të dorëzuar ankesat eventuale për rinumërimin që përfundoi.
Ky afat nis nga ora 12:00 e së premtes. Në rast se ka ankesa, ato më pas shqyrtohen nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa dhe nga Gjykata Supreme.
Rinumërimi u bë me vendim të KQZ-së bazuar në Rregullore zgjedhore për Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, që synon të adresojë problemet eventuale dhe për t’u siguruar që numërimi është zhvilluar me saktësi.
Sipas rezultateve preliminare, LVV-ja ka fituar 42.96 për qind të votave dhe pritet të ketë 53 ulëse në Kuvendin prej 120 anëtarësh. Ky është numër më i vogël i deputetëve, krahasuar me zgjedhjet e dhjetorit të vitit të kaluar, kur partia e Kurtit kishte fituar 57 mandate.
Subjekti i dytë ka dalë Partia Demokratike e Kosovës me 21.13 për qind të votave të fituara dhe në legjislaturën e 11-të pritet të ketë 22 deputetë – po aq sa kishte edhe në legjislaturën paraprake.
Lidhja Demokratike e Kosovës është forca e tretë me 17.60 për qind apo 18 deputetë – nga 15 deputetë sa kishte në dhjetor.
Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – që së voni ka vendosur të njihet si Aleanca – ka fituar 7.16 për qind të votave dhe pritet të ketë shtatë deputetë, apo një më shumë se në dhjetor.
Një falënderim për votuesit e tyre ka shprehur partia fituese Lëvizja Vetëvendosje, njëjtë ka vepruar edhe partia e dytë (PDK), edhe nga LDK ka pasur reagime, por nga kjo parti të ndryshme. Gjersa, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, vlerësoi rritjen e partisë së tij, ndonëse përqindja nuk ishte shumë e lartë në krahasim me zgjedhjet e kaluara.
“Votuesve tanë – ju faleminderit! Qytetarëve të Kosovës – mirënjohje për vlerësimin e dhënë dhe për mundësinë e dytë ndaj nesh. Nga dhjetori deri më sot nuk ka kaluar shumë kohë. Në çdo normalitet kohor, gjërat nuk do të ndryshonin kaq shpejt. As gjashtë muaj diferencë mes dy palë zgjedhjeve. Por për LDK-në, dhe vetëm LDK-në e askënd tjetër, ishte ndryshe. Këtë herë për të mbarë. Nga një krizë historike me apetite e projekcione të errëta, drejt një stabiliteti të ri. “, ka shkruar Abdixhiku më 8 qershor.
Por, një stabilitet të tillë nuk e shohin një pjesë e deputetëve dhe ish- deputetëve të kësaj partie.
Ish- kryeministër dhe tani deputet i LDK-së, Avdullah Hoti, ka kërkuar të ndalohen eksperimentet me LDK-në dhe të rikthehet te elektorati i saj tradicional.
Sipas tij, LDK nuk është pronë e askujt.
“Eksperimente me LDK-në dhe me të ardhmen e saj nuk do të ketë.
Rezultati ka dhënë një mesazh të qartë: LDK duhet të rikthehet fuqishëm te elektorati i saj tradicional, te vlerat e saj dhe te vizioni që e ka ndërtuar këtë parti. Duhet të luftojmë çdo mentalitet që dobëson aleancat tona historike dhe cenon rrugën euroatlantike të Kosovës.
LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik”, ka shkruar Hoti.
Një reagim të ngjashëm ka pasur edhe ish- deputetja e kësaj partie, Rrezarta Krasniqi, e cila e konsideron LDK-në më të madhe se çdo interes personal.
Sipas duhet reforma nga lart.
“LDK është më e madhe se çdo interes personal.
Kur pritjet ndërtohen mbi spektakël e jo mbi organizim, rezultati e jep verdiktin pa emocione e pa arsyetime.
Pra, nga 13 në 16, dobët shumë dobët.
Na u tha se “bashkimi i madh” do ta kthente fitoren në realitet. Ndërkohë, në terren u krijuan ndarje, u anashkaluan aktivistë që e kanë mbajtur partinë në ditët më të vështira dhe u ushqye ideja se disa janë më të rëndësishëm se të tjerët. Mbi të gjitha i lënduat ata që qëndruan fuqishëm për dekada me radhë. Reforma nuk fillon nga poshtë. Reforma fillon nga lart”, ka shkruar Krasniqi pos tjerash.
Nevoja për zgjedhje të brendshme partiake?
Opinionisti Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” thotë se LDK u përpoq ta kthejë elektoratin, por sipas tij asnjëri nuk dëgjon tjetrin në partinë e tyre.

Gani Mehmeti
Ai konsideron se deputeti Avdullah Hoti kërkon të merren masat dhe mund të aludojë për zgjedhje të brendshme partiake.
“Tani u është çelur goja secilit nga Lidhja Demokratike e Kosovës që të shkruajë e të japë mendimin e vet, por rënia e saj deri në këtë shkallë është për ta qajtur. Dhe, LDK-në u përpoq secili ta kthejë në pronë të tij, për çka ka rënë kaq poshtë, të cilës as që ia kemi menduar dikur këtë rënie. Mirëpo, kështu e ka kur të gjithë bëhen “të mençur” e asnjëri nuk e dëgjon tjetrin dhe kur secili bëhet si botë më vete – rënia është e gatshme. Të gjithë thirren në rugovizëm, por asnjëri sot nuk është rugovist, as edhe Avdullah Hoti. Se si është rugoviztmi e dinë të gjithë, dhe do të mjaftonte që vetëm të punonin, pa u marrë me të tjerët, pa ofendime dhe pa vija të kuqe për formimin e qeverive dhe zgjedhjen e kryetarit/res në Kosovë. E, këto ishin të dy palë zgjedhje të parakohshme përgjatë plot një viti e gjysmë, prej zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025 e këtej. Brenda kësaj partie tani kemi edhe të kënaqur edhe të pakënaqur me kthimin e Vjosa Osmanit, për çka vetë Avdullah Hoti shprehet se sikur kjo parti është bërë pronë private, për çka e qorton kryetarin e LDK, Lumir Abdixhikun. “LDK nuk është pronë e askujt dhe nuk mund të jetë peng i interesave personale. LDK është më e madhe se secili individ, është një mision politik dhe historik.”, kështu u shpreh deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti pas numërimit të votave. Me këtë, Avdullah Hoti, në një mënyrë, sikur kërkon të merren masa, ndoshta aludon edhe në zgjedhje të brendshme, apo në zgjedhje të kryetarit të LDK-së, normal, duke menduar në të mirë të saj, por edhe duke menduar për vete të vijë në krye të LDK-së”, shprehet Mehmeti.
Sipas tij, LDK duhet të tregohej më institucionale.
“Deri sa Avdullah Hoti me vend e thotë se LDK është më e madhe se se secili individ, ne e themi se edhe Kosova është më e madhe se secila parti politike, e pra, edhe më e madhe se Lidhja Demokratike e Kosovës, për çka me kohë do duhej të formohej qeveria vitin e kaluar e pastaj të bëhej edhe zgjedhja e kryetarit/res së Kosovës, pa e çuar Kosovën në dy pale zgjedhje të parakohshme. Me çka vërtet do duhej të tregohej institucionale, ashtu sikur tregohej “institucionale” kur lidhte koalicion me PDK-në, nga viti 2014, kur as që pritej një koalicion i tillë. Po, gjithsesi, kjo është një deklaratë kritikë ndaj kursit aktual politik të LDK-së dhe udhëheqjes së saj, që Hoti është kundër këtij kursi, por edhe ishte kundër koalicionit me LVV në formimin e qeverisë me të”, pohon opinionisti.
LDK sipas Mehmetit duhet të jetë më bashkëpunuese në formimin e qeverisë dhe kryetarit-es së shtetit.
Sipas tij, LDK nuk mund të kthejnë LDK-në tradicionale pa u marrë me shtetin.
“Lidhja Demokratike e Kosovës për t’u afruar sërish me elektoratin e saj tradicional, si gjithherë, duhet të tregohet shumë më bashkëpunuese në koalicion me formimin e qeverisë dhe në zgjedhjen e kryetarit/res së Kosovës. Pastaj, nuk them që të jetë e nënshtruar, por edhe të mos merret me askënd tjetër, përveç me veten, me shtetin, e, jo me individë e as me parti tjera politike. Votuesit nuk po janë pro atyre që vetëm llomotisin, ofendojnë e shajnë, pa menduar fare për shtetin e Kosovës. Nuk mund ta kthejnë LDK-në tradicionale pa u marrë me shtetin. Gjatë kohës së fundit, në veçanti, prej kur është në pushtet LVV-ja, LDK-ja më shumë është marrë me partinë në pushtet e asnjëherë me fqinjin tone armik, Serbinë. Nuk ka pasur as shkrime, as kërkesa as komunikata se ishin kundër kriminelëve serbë në veri të Kosovës. Si deputetë të LDK, nuk reflekton mirë kur thuhet se ne nuk kemi probleme me Listën Serbe, e cila dirigjohet nga Vuçiqi, por me LVV-në! Kjo çon peshë të madhe politike tek anëtarët e LDK dhe tek votuesit. LDK duhet të mendojë për shtetin, për popullin, jo deputetët e dalë prej saj, të mendojnë, të flasin e të veprojnë për vet, duke i qoruar të tjerët me ose pa vend. Ndryshe, nuk i kthehet anëtarësia që e ka pasur dikur”, përfundon Mehmeti.
Kriza brenda LDK-së?
Kurse, politologu Adnan Qaka, shprehet se LDK për shkak të mungesës së reformave të nevojshme dhe me këtë strukturë drejtuese vështirë se do të jetë në gjendje të arrijë rezultate të mira.

Adnan Qaka
Ai në një bashkëbisedim me “Bota sot”, potencoi se LDK ka nevoje për reformim të thellë.
“Siç dihet, LDK-ja tashmë po përballet me një krizë të thellë dhe me çarje të dukshme nga brenda. Pas dështimeve të vazhdueshme në zgjedhjet parlamentare, në LDK janë krijuar tri grupacione, gjë që është dëshmi e qartë e përçarjeve të brendshme në parti. Avdullah Hoti, me këtë deklaratë, përveç se shpreh pakënaqësi për rezultatet zgjedhore të 7 qershorit, njëkohësisht konfirmon edhe ambiciet e tij për ta drejtuar LDK-në në të ardhmen. Në fakt, LDK-ja me këtë kryesi që ka aktualisht, ku bëjnë pjesë edhe Avdullah Hoti, Lumir Abdixhiku dhe Kujtim Shala, përbëhet nga figura të konsumuara politikisht, të cilat mbajnë përgjegjësinë kryesore për dështimet e vazhdueshme të partisë në zgjedhjet parlamentare. Siç dihet, ish-kryeministri Hoti e mori detyrën e udhëheqësit të qeverisë në një mënyrë që është kontestuar nga kundërshtarët e tij politikë, ndërsa më pas ka mbajtur vazhdimisht qëndrime të ashpra ndaj Qeverisë Kurti. LDK-ja, për shkak të mungesës së reformave të nevojshme dhe me këtë strukturë aktuale drejtuese, vështirë se do të jetë në gjendje të arrijë rezultate më të mira në të ardhmen. Duhet pranuar se LDK-ja ka dështuar në këto zgjedhje dhe se partia ka nevojë për një reformim të thellë”, shprehet Qaka.
Mos inkuadrimi në një koalicion me Vetëvendosjen, sipas Qakës, ka ndikuar në dobësimin e saj.
Ai konsideron se një koalicion LDK- LVV do të krijonte një stabilitet më të madh politik në vend.
“Ajo duhet të ofrojë një program të mirëfilltë qeverisës dhe të largohet nga mentalitetet e së kaluarës, duke ndërtuar një strategji të qartë dhe bindëse për të qenë në krye të vendit dhe për të dëshmuar se është e aftë ta qeverisë Kosovën. Siç dihet, që nga viti 2004, LDK-ja nuk ka dalë e para në zgjedhje parlamentare. Mendoj se mosinkuadrimi në një koalicion me Vetëvendosjen e ka dobësuar partinë, e jo siç kanë deklaruar vazhdimisht anëtarë të kryesisë së saj se një koalicion i tillë do të ishte i dëmshëm për LDK-në. Sipas mendimit tim, një koalicion i tillë do t’i mbante të fuqishme të dyja partitë dhe do të krijonte një stabilitet më të madh politik në vend. Megjithatë, kjo duket vështirë të ndodhë, pasi LDK-ja vazhdon të mbajë një qasje shumë të ashpër ndaj Vetëvendosjes dhe nuk e sheh si opsion bashkëpunimin me të. Nga ana tjetër, ajo ka qenë e gatshme, si zakonisht, të bëjë koalicione me PDK-në dhe AAK-në, ndonëse në të kaluarën i ka akuzuar këto parti për vrasje politike të anëtarëve të saj, për dëme të mëdha dhe për keqqeverisje të vendit”, thekson Qaka.
LDK përballet me probleme serioze, sipas Qakës, dhe ka nevojë për reformim të thellë, figura të reja.
“Unë mendoj se, për të shmangur dërgimin e vendit sërish në zgjedhje të reja, do të duhej një koalicion ndërmjet LDK-së dhe Vetëvendosjes, në mënyrë që vendi të ketë një qeverisje stabile. Por, duke pasur parasysh se brenda LDK-së ka figura që janë shumë të afërta me PDK-në dhe që mbajnë qëndrime bllokuese ndaj Vetëvendosjes, nuk besoj se një gjë e tillë do të ndodhë lehtë. Nëse do të ndodhte, kjo mund të vinte më shumë si rezultat i një presioni ndërkombëtar. Edhe në rast të një bashkëqeverisjeje me Vetëvendosjen, ekziston rreziku që brenda LDK-së të ketë tendenca për ta çuar vendin drejt zgjedhjeve të jashtëzakonshme në momentin që do ta konsideronte të favorshme politikisht. Prandaj, LDK-ja përballet me probleme serioze dhe ka nevojë për një reformim të thellë. Aktualisht, nuk duket se partia ka kapacitetet e nevojshme për ta realizuar këtë proces. Po ashtu, nuk shihet ende ndonjë kandidat i mirëfilltë që mund ta unifikojë partinë dhe ta rikthejë atë në pozitën që dikur e kishte. LDK-së i duhen figura të reja politike për ta marrë drejtimin e partisë. Po ashtu, i nevojitet një qasje më e gjerë kombëtare, sepse, sipas vlerësimit tim, që nga viti 2006 ajo ka devijuar ndjeshëm nga rruga kombëtare dhe ka qenë pjesë e qeverive të ndryshme që nga viti 2007, duke mbajtur përgjegjësi për një pjesë të problemeve të krijuara në vend, ndërsa që nga viti 2021 ndodhet në opozitë. Shpeshherë kemi parë se, për shkak të rivalitetit politik, LDK-ja ka mbajtur qëndrime që unë i konsideroj të dëmshme në raport me interesin kombëtar, megjithëse nuk mund t’i mohohet fakti se në raste të caktuara ka qenë edhe konstruktive. Megjithatë, LDK-në e presin sfida të mëdha në rrugën për t’u rikthyer si partia kryesore në vend. Përkundër faktit se, sipas opozitës, qeverisja e Vetëvendosjes ka pasur dobësi të shumta, LDK-ja dhe partitë e tjera opozitare nuk arritën të përfitojnë pothuajse asgjë politikisht nga kjo situatë. Kjo është dëshmi e një opozitarizmi të dobët, e mungesës së vizionit dhe e mungesës së një programi të mirëfilltë politik që do t’u ofrohej qytetarëve si alternativë bindëse për qeverisjen e vendit”, përfundon Qaka për “Bota sot”.
