Diplomati gjerman, Dirk Schubel, u emërua përfaqësues i ri i posaçëm i BE-së për Kosovën.
Të hënën, Këshilli i Bashkimit Evropian ka ngarkuar Schubel në postin e ri, detyrë këtë që zyrtarisht do ta marrë më 1 shator me mandat fillestar dyvjeçar.
Schubel i cili aktualisht drejton Divizionin për Rusinë në EEAS, është pasues i estonezit Aivo Orav.
Sipas vendimit të Këshillit të BE-së, mandati i Schubelit do të përqendrohet në promovimin e një Kosove të qëndrueshme, demokratike dhe shumetnike, si dhe në mbështetjen e perspektivës evropiane të vendit.
Ai do të monitorojë përparimin në prioritetet politike, ekonomike dhe të sigurisë, do të kontribuojë në forcimin e të drejtave të njeriut, sundimit të ligjit dhe mbrojtjes së komuniteteve, si dhe do të promovojë koordinimin politik të Bashkimit Evropian në Kosovë.
Mandati i tij përfshin, gjithashtu, ofrimin e udhëzimeve politike për Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX) dhe mbështetjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me synim forcimin e stabilitetit rajonal dhe marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë.
Njohësit e zhvillimeve në vend, kërkojnë angazhimin e tij dhe besojnë se emërimi i tij do të ndikojë në një fazë të vendimmarrjes strategjike
Pozitivizmi rreth punës së Schubel
Analisti Gani Mehmeti, në një prononcim për “Bota sot” shprehet optimist rreth punës së Schubel.
Ai konsideron se përvoja e tij mund të lëvizë sado pak përpara.

Gani Mehmeti
“Bashkimi Europian ka njoftuar për emërimin e Dirk Schubel si ambasadorin e ri të BE-së në Kosovë. Shikuar nga postet e detyrat që ka pasur Dirk në karrierën e tij politike, jep shpresa se duhet pritur rezultate në bisedimet mes Kosovës e Serbisë. Urojmë të ketë suksese, ani që për estonezin Aivo Orav, nuk mund të themi se ka luajtur ndonjë rol aq sa është pritur për këtë kohë, si ambasador i BE në Kosovë. Gjermani Dirk Schubel, me përvojën e tij të gjatë në politikë, me njohurinë e tij në punë në aq shumë detyra e vende, dhe me punën e zellshme të tij prej një angazhimi të sinqertë e të drejtë, ka gjasa që të mund të lëvizë sado pak përpara. Ai do të nisë punën nga një shtatori i këtij viti, është një kohë e përshtatshme, sepse pushimet kalojnë deri atëherë dhe mund të çojë çështjet më përpara”, deklaron Mehmeti.
Sipas Mehmetit, Schubel vjen nga një shtet i fortë dhe mund të ketë shpresë që të ketë zgjidhje politike në Kosovë, por edhe raportet me Serbinë.
“Dirk vjen nga një shtet i fortë brenda BE-së, prej të cilit mund të pritet, por nuk jam i sigurt se do të përfundojë gjithçka mes Kosovës e Serbisë brenda dy vitesh, aq sa ka mandatin Dirk, si ambasador i BE në Kosovë. Natyrisht se, në politikë nganjëherë vërehet emri dhe vendi prej nga vjen një politikan, ne e vlerësojmë lart ardhjen e Dirk-ut në Kosovë, me shpresën se ai do të angazhohet me përvojën e tij në zgjidhjen politike të Kosovës, veçmas në raport me Serbinë. E them këtë, sepse, Serbia nuk do mund të tallet me një figurë si kjo e dhe me prejardhjen a tij. Ardhja e një diplomati të tillë në Kosovë thotë shumë, për çka ne presim se nuk do të zhgënjehemi, meqë ne nuk presim asgjë më shumë se aq sa na takon si shtet, duke pasur sovranitet në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Shpresojmë dhe urojmë që diplomati Schubel të avancojë bisedimet Kosovë-Serbi, ndërsa gjithsesi ai do të ndikojë në integrimet europiane të Kosovës, që deri sot kanë ngecur nga refuzimi i disa shteteve brenda BE-së”, thekson analisti.
Ndryshim kursi strategjik dhe pritshmëritë për diplomatin
Kurse, analisti Eduard Gashi, emërimin e Schubel e sheh si një rotacion rutinë burokratik në Bruksel dhe sinjal të qartë të ndryshimit të kursit strategjik.
Emërimi i tij, sipas Gashit, bart peshë specifike politike dhe ekonomike.

Eduard Gashi
“Nga një diplomat karriere nga Estonia, te një krizë-menaxher gjerman i stërvitur në përballjet me Moskën dhe Minskun. Emërimi i Dirk Schubel si Përfaqësues i Posaçëm i Bashkimit Evropian (EUSR) në Kosovë nuk është thjesht një rrotacion rutinë burokratik në Bruksel — është një sinjal i qartë i ndryshimit të kursit strategjik.
Më 1 shtator 2026, diplomati gjerman Dirk Schubel do të marrë zyrtarisht detyrën, duke pasuar estonezin Aivo Orav. Për një Prishtinë që gjendet nën presionin e vazhdueshëm të reformave të ngecura dhe një dialogu të ngrirë me Beogradin, ky emërim mbart peshë specifike politike dhe ekonomike”, deklaron Gashi për “Bota sot”.
Ai bën krahasimin e dy diplomatëve, gjersa thotë se Schubel ka menaxhuar marrëdhëniet me Minskun gjatë krizave më të rënda të sanksioneve dhe ka përballuar ndikimin hibrid rus.
“Për të kuptuar se çfarë e pret Kosovën, duhet analizuar ADN-ja diplomatike e dy protagonistëve. Ndryshimi midis tyre është ai midis integrimit rajonal klasik dhe diplomacisë së krizave të sigurisë së lartë.Aivo Orav është një njohës i hollsishëm i terrenit ballkanik. Karriera e tij si ambasador i BE-së në Maqedoninë e Veriut dhe Mal të Zi e profilizoi atë si një diplomat të fokusuar te stabilizimi rajonal, fqinjësia e mirë dhe proceset standarde të zgjerimit. Qasja e Orav ishte kryesisht institucionale dhe e matur, e përshtatshme për monitorimin e kritereve teknike të anëtarësimit. Dirk Schubel sjell në Prishtinë një peshë krejt tjetër gjeopolitike. Lindur në ish-Gjermaninë Lindore (RDGJ) dhe i arsimuar si ekonomist, Schubel ka kaluar dekadat e fundit në frontet më të vështira diplomatike të BE-së:
* Shef i Divizionit për Rusinë në Shërbimin Evropian për Veprim të Jashtëm (EEAS).
* I Dërguar i Posaçëm i BE-së për Partneritetin Lindor (2022–2024).
* Ambasador i BE-së në Bjellorusi (2019–2022) dhe në Moldavi (2009–2013).
Schubel është diplomati që ka menaxhuar marrëdhëniet me Minskun gjatë krizave më të rënda të sanksioneve dhe ka përballuar ndikimin hibrid rus në Moldavi dhe Ukrainë. Ai nuk është një diplomat i buletineve teknike; ai është një krizë-menaxher i stërvitur në mjedise me presion të lartë gjeopolitik”, thekson analisti.
Diferencat kryesore të diplomatëve, sipas Gashit, qëndron te përvoja operative.
“Ku ndahen dy diplomatët? Diferenca kryesore nuk qëndron vetëm te kombësia, por te përvoja operative. Ndërsa Orav operonte brenda kornizës tradicionale të zgjerimit të Ballkanit Perëndimor, Schubel vjen nga shkolla e diplomacisë ku shtetet përballen me kërcënime ekzistenciale dhe ndikime të forta nga jashtë. Orav aplikonte diplomacinë e “butë” të integrimit; Schubel aplikon diplomacinë e realpolitikës, sanksioneve dhe sigurisë kontinentale.
Për më tepër, formimi i Schubel si ekonomist shton një dimension që shpesh u mungon diplomatëve të thjeshtë politikë: një fokus të mprehtë mbi tregtinë e jashtme, reformat strukturore dhe menaxhimin e fondeve”, shprehet analisti.
Gashi flet edhe rreth asaj se çfarë duhet të presë Kosova nga mandati i Schubel, që sipas tij, , me emërimin e ri, BE-ja po zhvendoset nga faza e “menaxhimit të status-quosë” në Ballkan drejt një faze të vendimmarrjes strategjike
“Nga pikëpamja e analizës strategjike, emërimi i një diplomati gjerman me këtë profil sinjalizon tre zhvillime kryesore: 1. Kthimi i vëmendjes së plotë të Berlinit; Fakti që një diplomat i lartë gjerman merr timonin në Prishtinë tregon se Berlin zyrtar po rimerr autoritetin e drejtpërdrejtë mbi dosjen e Kosovës brenda strukturave të BE-së. Schubel gëzon besimin e Berlinit dhe Brukselit, gjë që i jep atij një linjë të drejtpërdrejtë komunikimi me qendrat kryesore të vendimmarrjes. Për Kosovën, kjo nënkupton më pak ambiguitet dhe kërkesa më të qarta e të drejtpërdrejta. 2. Dialogu Kosovë-Serbi përmes thjerrëzës së sigurisë; Si ish-shef i Divizionit për Rusinë, Schubel e njeh mirë strategjinë e Moskës për të përdorur pikat e nxehta në Ballkan si instrumente të destabilizimit të Evropës. Ai nuk do ta shohë dialogun Prishtinë-Beograd thjesht si një proces fqinjësie, por si një çështje të sigurisë evropiane. Kjo mund të sjellë një qasje më të ashpër dhe më pak tolerante ndaj manovrave gjeopolitike të Serbisë me Rusinë, por njëkohësisht do të kërkojë nga Prishtina konstruktivitet absolut për të mbyllur hapësirat e manipulimit hibrid. 3. Presion i lartë për reforma të brendshme dhe sundim të ligjit; Në Moldavi, Schubel u bë i njohur për kritikat e tij të hapura ndaj politikanëve lokalë që vendosnin interesat partiake mbi ato kombëtare. Si ekonomist dhe njohës i reformave strukturore, ai pritet të ketë një qasje teknokratike dhe të prerë ndaj korrupsionit, sundimit të ligjit dhe zbatimit të marrëveshjeve ekonomike. Me Dirk Schubel, BE-ja po zhvendoset nga faza e “menaxhimit të status-quosë” në Ballkan drejt një faze të vendimmarrjes strategjike. Kosova do të përballet me një emisar që nuk mund të impresionohet lehtë nga retorika politike e ditës dhe që do të kërkojë rezultate të matshme në ekonomi dhe siguri”, përfundon Gashi për “Bota sot”.
Schuebel nga shtatori 2022 deri në korrik 2024, ai ka shërbyer si i Dërguari Special i Bashkimit Evropian për Partneritetin Lindor.
Para kësaj detyre, ai ishte Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Bjellorusi për tre vjet, nga shtatori 2019 deri në vitin 2022.
Nga viti 2018 deri në vitin 2019, Schübel drejtoi Divizionin për Rusinë në EEAS, ndërsa më herët, nga 2013 deri në 2018, ishte Shef i Divizionit për Marrëdhëniet Dypalëshe të Partneritetit Lindor, duke u marrë me marrëdhëniet e BE-së me Ukrainën, Bjellorusinë, Moldavinë, Gjeorgjinë, Azerbajxhanin dhe Armeninë.
Nga 2009 deri në 2013, ai shërbeu si Ambasador dhe Shef i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Moldavisë.
Më herët, nga fillimi i vitit 2006 deri në 2009, ai ishte Shef i Seksionit Politik, për Shtyp dhe Informim në Delegacionin e BE-së në Kiev, përgjegjës për Ukrainën dhe Bjellorusinë.
Schuebel ka mbajtur gjithashtu një sërë pozitash në Komisionin Evropian dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, që nga viti 1993. Në institucionet evropiane ai ka punuar në Drejtoritë e Përgjithshme për Energji dhe Transport, Zgjerim dhe Tregti. Në fillim të karrierës së tij diplomatike në Gjermani, ai ishte i specializuar në marrëdhëniet ekonomike ndërkombëtare, tregtinë e jashtme dhe promovimin e saj.
