Kryeministri Edi Rama ka mbledhur këtë të enjte ekzekutivin, në një takim që ka nisur rreth orës 10:00.
Takimi i qeverisë zhvillohet një ditë përpara mbledhjes së thirrur nga Rama me ministrat dhe drejtuesit politikë të Partisë Socialiste, e planifikuar për pasditen e së premtes në selinë rozë.
Në këtë takim pritet që kreu i socialistëve të përcaktojë edhe detyrat për drejtuesit politikë në qarqe, të cilët do të nisin takimet me strukturat lokale. Në fokus do të jetë prezantimi dhe shpjegimi i dokumenteve strategjike të mazhorancës, “Besa” dhe “Prania Besnike”.
Organizimi politik vjen në kuadër të përgatitjeve të socialistëve për zgjedhjet vendore të vitit 2027, ndërsa vëmendja e strukturave të PS pritet të përqendrohet gjithnjë e më shumë te terreni dhe mobilizimi elektoral.
Paralelisht, socialistët janë në pritje të thirrjes së Asamblesë Kombëtare të Partisë Socialiste, e cila pritet të zhvillohet në javën e parë të shtatorit.
