Nënkryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vlora Çitaku, ka kritikuar vendimin e Gjykatës Speciale ndaj ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e cilësuar atë si krim ndaj drejtësisë dhe historisë.
Çitaku ka thënë se Kosova do të angazhohet që ky vendim të përmirësohet përmes procesit të ankesës.
“Sepse ajo çfarë ka ndodhur më 16 shtator, është krim ndaj drejtësisë, është krim ndaj historisë, dhe krim për të cilin ne po besojmë dhe do të punojmë që ta përmirësojmë në Apel”, ka deklaruar Çitaku.
Ndërkaq, e pyetur nëse ka informacione nëse presidentja e Kosovës e ka dekretuar ligjin për ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, nënkryetarja e Kuvendit tha se nuk ka informacione për këtë çështje.
“Nuk e di”, u përgjigj ajo.
Kujtojmë se Gjykata Speciale ka shpallur fajtorë katër ish-drejtuesit e UÇK-së për krime lufte. Sipas vendimit të bërë publik, ish-presidenti Hashim Thaçi dhe ish-kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, janë dënuar me nga 25 vjet burgim, Kadri Veseli me 18 vjet, ndërsa Rexhep Selimi me 13 vjet burgim.
