Lajme

Lushaku prezanton planin e punës së Komisionit për Integrime Evropiane, propozohet bashkëpunim me Shqipërinë dhe Malin e Zi

Komisioni planifikon takime me kryenegociatorin për integrim evropian, përfaqësuesit e BE-së dhe ministrat, ndërsa Liza Gashi kërkon shkëmbim përvojash me vendet e rajonit.

Kryetarja e Komisionit për Integrime Evropiane, Lushaku, ka prezantuar planin e punës për muajt e ardhshëm, i cili parasheh takime me zyrtarë të Bashkimit Evropian, raportime të ministrave dhe diskutime për procesin e integrimit evropian të Kosovës.

Sipas planit të prezantuar, gjatë muajit tetor është paraparë një takim me kryenegociatorin për integrim evropian, të caktuar nga Kryeministria, ku pritet të diskutohen zhvillimet në këtë proces dhe takimet e fundit të tij në Bruksel.

Për muajin nëntor janë planifikuar takime me zyrtarë të BE-së, pritja e delegacioneve dhe takime të veçanta me Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë.

“Do ta thërrasim këtu dhe do të bisedojmë për proceset që po shtyhen përpara, si dhe për takimet e fundit që ka zhvilluar në Bruksel”, ka deklaruar Lushaku, duke iu referuar takimit me kryenegociatorin.

Ndërkaq, gjatë muajit dhjetor, komisioni planifikon të ftojë ministra për raportim dhe të organizojë një takim plenar në kuadër të aktiviteteve për integrimin evropian.

Lushaku ka propozuar gjithashtu që në këto aktivitete të përfshihen edhe organizatat joqeveritare, me qëllim që të merren rekomandime për avancimin e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.

“Do të propozoja të bëjmë një takim të përbashkët edhe me organizatat joqeveritare, për të parë se çfarë na rekomandojnë në procesin e integrimit evropian”, ka thënë ajo.

Në të njëjtën mbledhje, deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Liza Gashi, ka propozuar që Kosova të shkëmbejë përvoja me Shqipërinë dhe Malin e Zi, si dy vende të rajonit që po avancojnë në procesin e anëtarësimit në BE.

Ajo ka vlerësuar se një takim i përbashkët me komisionet përkatëse të këtyre dy vendeve do të krijonte mundësi për diskutimin e përvojave dhe sfidave në rrugën drejt integrimit evropian.

“Do të ishte mirë të kemi perspektivën nga Mali i Zi dhe Shqipëria, si dy vende që janë duke lëvizur në drejtim të BE-së, dhe me komisionet përkatëse të kemi një takim pune në Prishtinë”, ka deklaruar Gashi.

Në fund, plani i punës i Komisionit për Integrime Evropiane është mbështetur nga të gjithë anëtarët e tij.

Të Ngjashme