Mund të jetë një partner, një mik, një mësues, një koleg apo edhe dikush që qëndron për një periudhë shumë të shkurtër, por pas të cilit diçka te ne nuk është më njësoj. Sipas numerologjisë, dita e muajit në të cilën ke lindur lidhet me llojin e personit që mund të sjellë një ndryshim të rëndësishëm në jetën tënde, jo domosdoshmërisht sepse do të qëndrojë përgjithmonë, por sepse mund të të mësojë pikërisht ccfarw ke nevojë të kuptosh në një moment të caktuar.
Sigurisht, numerologjia nuk ka bazë shkencore, ndaj merre si një interpretim argëtues. Tani gjej datën tënde:
Nëse ke lindur më 1, 10, 19 ose 28: Ai/ajo që të mëson të guxosh
Mund të kesh shumë ide, ëndrra dhe ambicie, por të mungon shtysa për të bërë hapin e parë. Personi që mund të të ndryshojë jetën është dikush që nuk pret momentin e pwrsosur për të vepruar. Ky person mund të ketë hapur biznesin e vet, të ketë udhëtuar vetëm, të ketë ndryshuar karrierë ose thjesht të ndjekë wndrrat pa kërkuar miratimin e të tjerëve. Duke e parë, kupton se ndonjëherë guximi nuk vjen para veprimit; vjen pasi fillon.
Nëse ke lindur më 2, 11, 20 ose 29: Ai/ajo që të mëson t’i besosh intuitës
Ti mund t’i kuptosh shumë mirë njerëzit dhe atmosferën përreth, por kjo nuk do të thotë se gjithmonë i beson ndjesisë së parë. Personi që të ndryshon është dikush që i beson instinkteve tw veta dhe nuk i analizon pafundësisht. Prania e tij mund të të bëjë të kuptosh se jo çdo vendim kërkon dhjetë prova dhe njëqind mendime nga njerëzit përreth. Ndonjëherë përgjigjen e ke ditur që në fillim.
Nëse ke lindur më 3, 12, 21 ose 30: Ai/ajo që të rikthen kuriozitetin
Mes punës, detyrimeve dhe rutinës, mund të harrosh gjërat që dikur të bënin kurioz. Pastaj takon dikë që vazhdon të mësojë, lexojë, studiojë, provojë gjëra të reja dhe të interesohet për botën. Ky person mund të të kujtojë një version tëndin që e kishe lënë pas: atë që donte të mësonte thjesht sepse diçka e intrigonte. Dhe mund të jetë shtysa për t’iu rikthyer një pasioni, një kursi, një libri apo edhe një rruge krejt të re.
Nëse ke lindur më 4, 13, 22 ose 31: Ai/ajo që të mëson qëndrueshmërinë
Mund ta duash stabilitetin, por një pjesë e jotja mërzitet shpejt dhe kërkon vazhdimisht ndryshim. Personi që lë gjurmë te ti është dikush që di të qëndrojë i përkushtuar edhe kur entuziazmi i fillimit ka kaluar. Ai të tregon se rezultatet e mëdha nuk vijnë gjithmonë nga një vendim spektakolar, por shpesh nga gjërat e vogla që përsërit çdo ditë. Dhe, ndoshta më e rëndësishmja, se stabiliteti nuk ka pse të jetë sinonim i mërzisë.
Nëse ke lindur më 5, 14 ose 23: Ai/ajo që nuk ka frikë të jetë ndryshe
Ti mund të kesh një personalitet individualist, por me kalimin e kohës mund të kesh mësuar ta zbusësh veten për t’u përshtatur. Pastaj shfaqet dikush që nuk e ka këtë problem. Ky është personi që vishet siç do, flet siç mendon, ndjek interesat e veta dhe nuk shqetësohet shumë nëse të gjithë e pëlqejnë. Edhe nëse nuk qëndron përgjithmonë, ai mund të të kujtoje: jeta është shumë e shkurtër për ta kaluar duke u përpjekur të jesh versioni më i pranueshëm i vetes.
Nëse ke lindur më 6, 15 ose 24: Ai/ajo që të mëson çfarë meriton në dashuri
Mund të jesh tipi që jep shumë në marrëdhënie, fal shumë dhe, ndonjëherë, kënaqet me më pak nga sa meriton vetëm për të ruajtur harmoninë. Personi që të ndryshon jetën nuk është domosdoshmërisht “dashuria e jetës”. Mund të jetë pikërisht ai që të bwn të kuptosh se dashuria pa kufij nuk është gjithmonë dashuri e shëndetshme. Pas tij, mund të fillosh të kërkosh më shumë reciprocitet, më shumë respekt dhe të mos kesh më frikë të thuash “kjo nuk më mjafton”.
Nëse ke lindur më 7, 16 ose 25: Ai/ajo që të mëson të jesh mirë edhe vetëm
Edhe nëse të pëlqen qetësia, të qenit vetëm për një kohë të gjatë mund të të krijojë parehati. Personi që mund të të ndryshojë është dikush që e shijon vetminë pa e përjetuar si mungesë. Ai nuk ka nevojë për plane çdo fundjavë, nuk kërkon vazhdimisht shoqëri dhe ndihet rehat me botën e vet. Prej tij mund të mësosh se të jesh vetëm dhe të ndihesh i vetmuar janë dy gjëra krejt të ndryshme.
Nëse ke lindur më 8, 17 ose 26: Ai/ajo që të ndryshon mënyrën si e sheh suksesin
Për ty, temat e ambicies, parave, karrierës dhe kontrollit mund të jenë të rëndësishme. Personi që të ndryshon mund të jetë një shef, mentor, koleg apo dikush tjetër me autoritet dhe ndikim. Por nuk është e thënë të jetë një model perfekt. Mund të mësosh nga mënyra si menaxhon suksesin, por po aq edhe nga mënyra si dështon, si sillet me pushtetin apo çfarë gabimesh bën me paratë dhe njerëzit. Në fund, ky person mund të të ndihmojë të përcaktosh çfarë do të thotë sukses për ty, jo për të tjerët.
Nëse ke lindur më 9, 18 ose 27: Ai/ajo që të mëson të jesh i mirë pa harruar veten
Mund të jesh njeri që jep shumë dhe e ka të vështirë të qëndrojë indiferent kur dikush ka nevojë për ndihmë. Por pas disa zhgënjimeve, mund të fillosh të mendosh se mirësia nuk ia vlen. Personi që të ndryshon është dikush po aq zemërgjerë, por që di edhe të thotë “jo”. Ai të mëson se të ndihmosh të tjerët nuk do të thotë të sakrifikosh vazhdimisht veten dhe se kufijtë nuk të bëjnë më pak të mirë.
Sipas këtij interpretimi numerologjik, personi që ndryshon jetën tënde nuk është domosdoshmërisht dikush që qëndron më gjatë, por që shfaqet në momentin e duhur dhe të tregon diçka për veten që nuk e kishe parë më parë.
