Lajme

​Debati Haxhiu-Simiq: “Tërhiqeni fjalën, popull serb ka në Serbi”-“Jam pjesëtar i popullit serb…”

Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu është përfshirë në një debat me deputetin e Listës Serbe, Igor Simiq, duke i kërkuar këtij të fundit të tërheq fjalën për një deklaratë që kishte bërë në pjesën e parë të vazhdimit të seancës konstitutive të parlamentit të Kosovës, të mërkurën.

Simiq, gjatë propozimit të Sllavko Simiqit si kandidatit për nënkryetar të Kuvendit nga komuniteti serb, kishte thënë se ai po propozohej “në emër të popullit serb”.

Haxhiu e ka cilësuar këtë deklaratë si të papranueshme dhe në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës.

Në vazhdimin e seancës pas pauzës, ajo ka kërkuar që propozimi të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Haxhiu: Tërhiqeni atë deklarim që është në kundërshtim me kushtetutën

“Dua të ndalem tek deklarimi I deputetit Igor Simiq, pas dhënies së fjalës për propozimet për nënkryetarin e kuvendit nga radhët e komunitetit jo shumicë serb, deputeti Simiq bëri një deklarim të papranueshëm. Më lejoni të ju lexoj, “Në emër të popullit serb me nënshkrimet e shumicës se deputeteve që zënë vendet e rezervuara për komunitetin serb, nëntë nga dhjetë deputetet, propozojmë Slavko Simiq si kandidat për nënkryetar kuvendi”. Ky deklarim është në kundërshtim me Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Popull serb ka në Serbi, ndërsa Republika e Kosovës e ka popullin e Kosovës, ku 92 për qind janë shqiptar, 4 për qind serb, dhe 4 për qind nga komunitetet tjera jo shumicë. Prandaj, një deklarim i tillë është i papranueshëm. Dhe unë menjëherë ju ftoj që të merrni fjalën dhe të tërhiqni atë deklarim që është në kundërshtim me kushtetutën dhe ta bëni propozimin në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në përputhje me rregulloren e Kuvendit”, tha ajo.

Simiq ka kundërshtuar kërkesën e kryetares së Kuvendit, Albulena Haxhiu, duke insistuar se propozimi për nënkryetarin nga komuniteti serb është bërë në përputhje me Rregulloren e Kuvendit.

Simiq – Haxhiut: E kuptoj lojën të cilën ju po e luani…

“E kuptoj lojën të cilën po e luani. Në pajtim me nenin 67 të Kushtetutës dhe nenit 12, pika 6 të rregullores së punës së Kuvendit propozimet për nënkryetarin sa i përket komunitetit serb, siç thuani ju, bëhet në mënyrë të shkruar dhe ju e keni pranuar këtë më datën 6 të muajit 8. Kështu që propozimi që dhamë…”, ka thënë Simiq.

Simiq është ndërprerë nga Haxhiu e cila kërkuar sërish që deputeti serb të tërheqë deklaratën dhe të vazhdojë me propozimin në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren e Kuvendit.

Haxhiu – Simiqit: Bëjeni kërkesën sipas kërkesës që është e bazuar në Kushtetutë

“I nderuari deputet, ju lutem regjia ja ndaleni fjalën, tërheqin fjalën paraprakisht. Ju kërkoj të tërhiqni fjalën paraprakisht dhe të vazhdoni me propozimin në përputhje me rregulloren e kuvendit dhe në përputhje me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, jo fjalët të tjera, bëjë sipas kërkesës që është e bazuar në Kushtetutë”, ka thënë Haxhiu.

Simiq nuk ka pranuar ta bëjë atë që i ka kërkuar Haxhiu.

Simiq: Jam përfaqësues i popullit serb dhe këtë të drejtë ju nuk do të ma merrni

“Jam përfaqësues i popullit serb dhe këtë të drejtë ju nuk do të ma merrni, pra, propozimi me letër që e kemi bërë më…”, tha ai.

Anëtari i Listës Serbe është ndërprerë sërish nga Haxhia, e cila, pas pak çasteve i ka ndërprerë edhe krejt punimet e seancës, me arsyetimin se nuk ka pajtim për zgjedhjen e nënkryetarëve të Kuvendit.

Vazhdimi është caktuar për të premten, më 11 shtator.

Të Ngjashme