Lajme

​Deklarata e ministres serbe, eurodeputeti çek kërkon largimin e Serbisë nga negociatat me BE-në

Eurodeputeti çek, Tomas Zdechovsky ka reaguar së fundmi lidhur me deklaratën e ministres serbe, Snezhana Paunoviç. Në reagimin e tij, Zdechovsky e cilësuar deklaratën e ministres serbe si të papranueshme. Ndër të tjera ai shtoi se duhet kërkuar nxjerrja e Serbisë nga negociatat për integrimin evropian.

“Isha plotësisht i shokuar nga ajo që dëgjova nga ministrja e Serbisë. Nuk ishte vetëm tronditje, por diçka krejtësisht e papranueshme. Nëse kjo grua është vërtet ministre, ne duhet ta nxjerrim Serbinë nga negociatat”, tha ai.

Ai e krahasoi deklaratën e ministres serbe me gjenocidin nazist ndaj hebrenjve pas Luftës së Dytë Botërore.

“Është sikur dikush, pasi viziton Aushvicin pas Luftës së Dytë Botërore, të thotë se Hitleri ishte zgjidhja më e mirë për çështjen hebraike. Kjo është plotësisht e papranueshme. Duhet të dërgojmë një mesazh të qartë: askush me këtë lloj retorike nuk do t’i bashkohet Bashkimit Evropian”, theksoi ai, përcjell Euronews Albania.

Është dorëzuar të enjten zyrtarisht kërkesa për shkarkimin e ministres së Administratës Shtetërore dhe Vetëqeverisjes Lokale, Snezhana Paunoviq, pas deklaratave të saj lidhur me spastrimin etnik të shqiptarëve në vitet ’90, ka bërë të ditur deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi.

Nisma është ndërmarrë nga Grupi Parlamentar Lëvizja e Qytetarëve të Lirë – SDA e Sanxhakut dhe Partia për Veprim Demokratik, ndërsa është mbështetur edhe nga deputetë të tjerë të opozitës.

Ditë më parë, Ministrja e Administratës Publike dhe Vetëqeverisjes Lokale në Qeverinë e Serbisë, Snezhana Paunoviç, ka bërë një deklaratë skandaloze për Kosovën gjatë një interviste të dhënë për një media serbe.

Ministrja në qeverinë e Vuçiqit, tha se, po të kishte pasur lirinë e veprimit që kishte Slobodan Milosheviç, do ta kishte “spastruar etnikisht Kosovën gjatë luftës’.

Të Ngjashme