Opinionisti Gani Mehmeti në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Serbia vazhdon të udhëhiqet nga mentaliteti i regjimit të Sllobodan Millosheviqit, pavarësisht aspiratave për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Sipas tij, deklarata e ministres Snezhana Paunoviq dëshmon se politika serbe ndaj shqiptarëve nuk ka ndryshuar, ndërsa shtoi se Serbia duhej të ishte ndëshkuar me dëmshpërblime pas luftërave në ish-Jugosllavi, në mënyrë që të mos përsëriste retorikën dhe politikat e së kaluarës.
“Demokratët evropianë dënojnë deklaratën e Paunoviqit, se Serbia nuk mund të ecë drejt BE-së me retorikën e Millosheviqit!
Por, Serbia nuk mundet pa retorikën e Millosheviqit. Jo, sepse bombardimi i Serbisë në vitin 1999 e bëri të sajën, e ndali luftën dhe populli shqiptar u kthye në Kosovë, por mbeti në gjysmë veprimi i NATO-s ndaj Serbisë.
Krejt çka janë sot në qeveri dhe presidencë të Serbisë, ishin bashkëpunëtorë të Millosheviqit në të gjitha luftërat e shkaktuara nga Serbia. Ata nuk janë bërë tjerë, kanë mbetur e janë po me atë mentalitet – shovenistë.
Pas luftës, disi, si në mënyrë pajtimi pse ishte beombarduar, iu afruan shtete të ndryshme dhe investuan në zhvillimin e saj, në vend që ta dënonin atë me dëmshpërblimin e të gjitha dëmeve të shkaktuara në të gjitha luftërat në republikat e ish Jugosllavisë.
Serbia sikur të ngarkohej me këto dëme, më nuk do i binte ndërmend të mendonte për ndonjë luftë e të mos flasim për spastrime të ciltido vend dhe të cilitdo popull”, thotë ai.

Gani Mehmeti
Mehmeti vlerëson se Serbia është fuqizuar ekonomikisht dhe ushtarakisht pas luftës, ndërsa pretendon se armatosja e saj ka për synim Kosovën.
Ai thotë se deklarata e ministres Snezhana Paunoviq nuk është qëndrim individual, por, sipas tij, është në linjë me politikat e Ivica Daçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit. Sipas Mehmetit, deklarata synon edhe të testojë reagimin e bashkësisë ndërkombëtare dhe të NATO-s ndaj kërcënimeve të tilla.
“Pra, që nga paslufta atë e ngritën shtete të tjera sa mori krihët e u thvillua, me çka ajo edhe u armatos, qoftë me prodhime armatimi në fabrikat e saja, qoftë me blerje të armatimit më modern në botë, duke marrë armatim nga Franca, Rusia e Kina. Krejt këtë armatim e blinte, gjoja për mbrojtjen e Serbisë nga shtete të tjera që e rrethojnë, por preteksti ishte dhe mbeti tek shqiptarët e në veçanti te Republika e Kosovës.
Sikur të llogariteshin dëmet e shkaktuara nga Serbia prej luftës në Slloveni, Kroaci, Bosnje e Hercegovinë dhe në Kosovë, ajo do të vunate me dhjetëra vite duke paguar dëmshpërblime dhe nuk do i binte më ndërmend të për spastrime etnike, nuk do i dëgjohej emri asnjërit për luftë. Luftërat e Serbisë ishin fashiste, shoveniste e pushtuese, për krijimin e Serbisë së Madhe.
Përndryshe, deklarata e ministres Snezhana Paunoviq, për spastrimin e Kosovës nga shqiptarët, nuk është shpikje vetëm e saj. Kjo deklaratë ka dalë në marrëveshje me Daçiqin që e përkrah, sa edhe i quan të turpshëm ata që e kritikojnë Paunpoviqin. E, përveç Daçiqit, Paunoviq, gjithsesi deklaratën e ka lëshuar edhe në marrëveshje me Vuçiqin. Vuçiqi e di mirë forcën ushtarake dhe të armatimit të Serbisë, prandaj ai mendon të sulmojë Kosovën ushtarakisht. Në anën tjetër, kjo është një deklaratë serbe për matjen e pulsit me ndërkombëtarët dhe me NATO-n, se si do të reagojnë. Dhe, në bazë të reagimit të tyre, Serbia do të veprojë, do e sulmojë ose jo Kosovën”, shprehet ai.
Në përfundim, Mehmeti shpreh shqetësimin se Serbia mund të testojë gatishmërinë e NATO-s dhe KFOR-it, duke iu referuar sulmit ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan në vitin 2023.
“Në një mënyrë, Serbia ka matur pulsin me NATO-n që më 29 maj 2023, ekipet e KFOR-it në Zveçan ishin sulmuar dhe 30 ushtarë të misionit paqeruajtës ishin lënduar, disa prej tyre rëndë, deri sa KFOR-i nuk u ishte përgjigjur fare çetnikëve serbë ne këtë rast.
Me këtë, Vuçiqi mendon se KFOR-i nuk do të reagojë dhe po hyri ushtarakisht në Kosovë, për çka bën përgatijet e nevojshme dhe është rrezik një ditë të bëjë sulmin.
Rreth kësaj, Kosova dhe NATO, duhet të jenë shumë vigjilente të përgatitur mirë, sepse nuk i besohet.
Kjo deklaratë është sulm i drejtpërdrejtë serb në Kosovë.
BE, le të anojë e ledhatojë edhe më tutje Serbinë, se gjoja do e tërheqin në Bashkimin Europian, por ajo nuk e ka as mendjen te BE-ja, deri sa e ka Rusinë, Kinën e tani edhe Iranin” – përfundon ai.
