Deputeti i PDK-së, Rrustem Mustafa, ka propozuar një platformë politike për zhbllokimin institucional të vendit, duke bërë thirrje për marrëveshje ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje, Partisë Demokratike të Kosovës dhe komuniteteve joshumicë.
Mustafa ka shkruar në Facebook se, vendi nuk ka nevojë për kriza të reja politike, por për një marrëveshje që i kthen institucionet në funksion.
Ai ka propozuar atë që e quan “Koalicion për Normalitet”, si pjesë të një “Pakti për Shtetin”.
Sipas Mustafës, kjo marrëveshje duhet të ndërtohet mbi legjitimitetin e LVV-së si forca e parë parlamentare, balancën institucionale përmes rolit të PDK-së dhe përfaqësimin kushtetues të komuniteteve joshumicë.
Postimi i plotë:
Platformë për zhbllokimin institucional të Kosovës
Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike, e as për kriza që nesër do të përdoren si justifikim për pranimin e një realiteti që mund ta ndryshojmë sot.
KOALICIONI PËR NORMALITET
Të nderuar kolegë dhe qytetarë,
Kuvendi mbetet i bllokuar dhe qytetarët nuk mund të presin më. Thirrja ime për kapërcimin e inateve politike mund të shndërrohet në zgjidhje konkrete shtetërore.
Zgjidhja ekziston në vullnetin politik të shumicës parlamentare të përbërë nga Lëvizja Vetëvendosje, Partia Demokratike e Kosovës dhe komunitetet joshumicë. Kjo formon bazën e një Pakti për Shtetin, të ndërtuar mbi tri shtylla kryesore:
Shtylla e Legjitimitetit:
Si forca e parë parlamentare, LVV-së i njihet roli udhëheqës në institucione dhe përgjegjësia kryesore në drejtimin e Qeverisë dhe Kuvendit, duke respektuar vullnetin e qytetarëve.
Shtylla e Balancës dhe Stabilitetit Presidencial:
PDK merr përgjegjësinë për të garantuar kontrollin demokratik, balancën institucionit dhe orientimin euroatlantik përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse të qëndrueshme për ndarjen e përgjegjësive. Si pjesë e këtij ekuilibri shtetëror, partitë e koalicionit marrin obligim që PDK të udhëheqë me Presidencën.
Komunitetet Joshumicë:
U garantohet përfaqësimi i plotë dhe roli i tyre kushtetues në institucionet e Republikës.
Kjo është marrëveshje për përgjegjësi. Nuk kërkohet që askush të heqë dorë nga legjitimiteti politik, por që ky legjitimitet të kombinohet me balancën e nevojshme për institucione funksionale.
Orientimi Strategjik dhe Parimet Shtetërore.
1. Partneriteti Euroatlantik: Qeveria e Kosovës duhet të ndërtojë bashkëpunim të qëndrueshëm, strategjik dhe efektiv me SHBA-në dhe NATO-n si garanci e sigurisë sonë kombëtare.
2. Vizioni Kombëtar: Institucionet duhet të përafrohen plotësisht me shtetin shqiptar dhe me shqiptarët kudo në rajon, duke ndërtuar një platformë të përbashkët politike, ekonomike e kulturore.
3. Mbrojtja e Vlerave Çlirimtare: Shteti duhet të afrohet me çlirimtarët, duke hequr çdo pengesë ligjore, propagandistike apo administrative që i ndan ata nga institucionet dhe nga narrativa zyrtare e shtetndërtimit.
4. Përgjegjësia Shtetërore: Kryeministri i Kosovës ka mundësinë historike të ndërtojë politika të drejta, vizionare dhe transparente kombëtare dhe nuk ka më të drejtë apo hapësirë të na zhgënjejë.
Kryetar i LVV-së, Albin Kurti çelësi është në duart e tua.
Si udhëheqës i forcës më të madhe parlamentare, ke përgjegjësinë për ta hapur këtë tryezë. Ky propozim njeh legjitimitetin tuaj, por kërkon balancë dhe garanci për shtetin.
Besoj se PDK është e gatshme ta marrë pjesën e saj të përgjegjësisë.
Kosova nuk ka nevojë për trazira të reja politike, e as për kriza që nesër do të përdoren si justifikim për pranimin e një realiteti që mund ta ndryshojmë sot.
Ka një rrugë tjetër: marrëveshje politike, përgjegjësi dhe vullnet për ta ndërtuar shtetin normal.
Koalicioni për Normalitet nuk është kompromis me të ardhmen. Është përgjegjësi ndaj vendit.
Kosovës i duhet mundësia për të ecur përpara, jo një krizë tjetër.
Le ta shndërrojmë këtë zgjidhje politike në normalitet, zhvillim dhe perspektivë evropiane.
Nga bllokada te institucionet.
Nga përplasja te përgjegjësia.
Rrustem Mustafa
Deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës
