Aktuale

Detaje nga ekzekutimi në Kamëz/ Viktima u qëllua me plumb në kokë, autori tentoi të vrasë edhe shokun tjetër

Një ekzekutim me armë zjarri ka tronditur zonën e Paskuqanit në Kamëz mesditën e kësaj të hëne, ku mbeti i vrarë 27-vjeçari Ardian Baloshi.

Sipas të dhënave paraprake, autori ka qëlluar me breshëri në drejtim të Baloshit, duke e lënë të vdekur në vendngjarje. Burime nga hetimi bëjnë me dije se në vendin e ngjarjes janë gjetur rreth 10 gëzhoja, ndërsa viktima dyshohet se është goditur me një plumb në kokë.

Nga informacionet e para rezulton se objektiv i sulmit ka qenë edhe shoku i viktimës, i cili ndodhej pranë tij në momentin e atentatit, por nuk është prekur nga plumbat.

Ndërkohë, Policia e Shtetit ka bërë apel për bashkëpunim nga qytetarët për lokalizimin dhe arrestimin e autorit të dyshuar.

Sipas policisë, personi i shpallur në kërkim është Sadik Llanaj, i cili konsiderohet i armatosur dhe me rrezikshmëri të lartë.

Për çdo informacion që mund të ndihmojë në kapjen e tij, autoritetet kanë vënë në dispozicion një shpërblim prej 10 mijë eurosh, ndërsa hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të motiveve dhe rrethanave të ngjarjes./vizionplus.tv

Të Ngjashme