Dhjetëra mijëra studentë dolën të mërkurën në rrugët e Tiranës, duke i vënë zjarrin dy ndërtesave qeveritare dhe dy bankave, si dhe duke hedhur gurë në drejtim të policisë, në ditën e dytë të protestës kundër rritjes së kostove të arsimit dhe kundër korrupsionit.
Si pasojë, dhjetëra oficerë policie e protestues u lënduan gjatë përleshjeve që zgjatën disa orë.
Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” tha vonë në mbrëmje se 23 oficerë policie, 5 protestues dhe 1 kalimtar janë pranuar për ndihmë mjekësore.
Policia përdori topa uji dhe gaz lotsjellës për t’i shpërndarë protestuesit, disa prej të cilëve ua vunë zjarrin ndërtesës së Ministrisë së Arsimit dhe asaj të Drejtësisë, përmbysën kontejnerët e mbeturinave dhe dëmtuan biznese lokale në sheshin e kryeqytetit.
Një degë e Raiffeisen Bank, pranë Ministrisë së Arsimit, u përfshi gjithashtu nga zjarri, raporton agjencia e lajmeve Reuters.
Protestuesit gjithashtu thyen portën e ndërtesës së Kuvendit. Kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, e cilësoi të “papranueshëm” shënjestrimin e godinës së organit ligjvënës dhe institucioneve të tjera shtetërore, duke thënë se “dhuna dhe shkatërrimi nuk i shërbejnë asnjë kauze, por dëmtojnë interesin publik dhe vetë shoqërinë”.
Policia e Shtetit tha se i ka ndaluar 35 protestues.
Kjo është protesta më e dhunshme kundër korrupsionit në Tiranë qëkurse nisën protestat në maj dhe përben sfidë në rritje për Qeverinë e kryeministrit Edi Rama.
Përshkallëzimi i dhunës vjen pas një vere me protesta paqësore kundër Ramës, të nxitura nga planet për ndërtimin e një resorti luksoz në bregdetin e paprekur të jugut të Shqipërisë.
“Ky është një revolucion. Jemi lodhur nga protestat paqësore. Nuk do të ndalemi derisa Rama të japë dorëheqjen”, tha Lora, një studente që nuk pranoi ta bënte publik mbiemrin e saj, teksa hidhte gurë në drejtim të policisë.
Protestues të tjerë brohoritën “Dorëheqje” dhe “Policia e krimit”.
Organizatorët thonë se po protestojnë për kushte më të mira studimi, tarifa më të përballueshme dhe mundësi punësimi.
Gjatë gjithë ditës së protestës, Policia e Shtetit u bëri thirrje protestuesve përmes njoftimeve edhe në rrjetet sociale ta ruajnë vetëpërmbajtjen dhe qetësinë, si dhe të distancohen “menjëherë dhe në mënyrë të qartë, nga personat që kryejnë akte dhune, djegie dhe sulme ndaj punonjësve të Policisë”.
Të martën, qindra protestues të mbledhur për rreth nëntë orë në kryeqytet, hodhën gurë dhe mjete piroteknike drejt institucioneve dhe policisë, ndërsa forcat e rendit përdorën gaz lotsjellës dhe ujë për shpërndarjen e tyre.
Sipas autoriteteve shëndetësore, 27 persona morën trajtim mjekësor pas protestës të martën, përfshirë protestues, policë, gazetarë, kalimtarë dhe një diplomat të huaj.
Mbi 50 persona u shoqëruan në polici.
Ndërkohë, pretendimet e protestuesve për përdorim të tepruar të forcës nga policia kanë nxitur hetime.
Pas publikimit të pamjeve ku shihej një 19-vjeçar me këmbë të dëmtuar, teksa shoqërohej nga policët, Policia e Shtetit pezulloi nga detyra katër efektivë dhe shefin e rendit në një prej komisariateve të Tiranës.
I riu pësoi frakturë në këmbë, por rrethanat e lëndimit mbeten të paqarta. Autoritetet kanë nisur hetime, ndërsa Policia ka paralajmëruar përgjegjësi për çdo tejkalim të kompetencave. Edhe Avokati i Popullit ka nisur shqyrtimin e proporcionalitetit të përdorimit të forcës.
Çfarë kërkojnë protestuesit?
Pakënaqësitë që nxorën studentët në rrugë lidhen me kushtet në universitete, koston e studimeve, mungesën e mbështetjes financiare dhe vështirësitë për të gjetur punë pas diplomimit.
Por, protesta e së martës kishte edhe një kërkesë politike: largimin e Qeverisë Rama.
Arvina Lleshi, aktiviste dhe një nga organizatoret e protestës, tha për Radion Evropa e Lirë se protestuesit nuk synojnë më të negociojnë me qeverinë për përmbushjen e kërkesave të veçanta.
“Ne nuk kemi kërkesa që t’ia drejtojmë Ministrisë së Arsimit apo Qeverisë dhe të diskutojmë për plotësimin e tyre. Ka vetëm një kërkesë: Largimin e Qeverisë Rama. Pa dorëheqje, nuk ndalojmë”, tha Lleshi.
Ajo e lidhi protestën studentore me tubimet e lëvizjes “Revolucioni Flamingo”, që po zhvillohen prej më shumë se katër muajsh në Tiranë kundër qeverisë.
Sipas saj, mungesa e përgjigjes nga autoritetet i ka shtyrë organizatorët drejt përshkallëzimit të protestave.
Lëvizja “Revolucioni Flamingo” nisi si kundërshtim ndaj një projekti turistik luksoz në zonën e mbrojtur të Zvërnecit, për shkak të shqetësimeve për ndikimin në mjedis, por gradualisht u shndërrua në një mobilizim më të gjerë kundër korrupsionit, pabarazisë ekonomike dhe mënyrës së qeverisjes.
Sipas platformës së publikuar nga lëvizja, protestuesit kërkojnë dorëheqjen e qeverisë, formimin e një qeverie teknike kalimtare dhe organizimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme.
Ata kërkojnë gjithashtu anulimin e projektit turistik në Zvërnec dhe shfuqizimin e ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura dhe të ligjit për investimet strategjike, që i konsiderojnë abuzive.
Aktivistët e saj kanë kritikuar si kryeministrin Rama, ashtu edhe figura të opozitës, duke kërkuar përgjegjësi politike dhe ligjore.
Në protestën e së martës morën pjesë edhe përfaqësues të opozitës.
Qeveria e Shqipërisë nuk iu përgjigj kërkesës së Radios Evropa e Lirë për koment lidhur me protestën dhe thirrjet për dorëheqjen e saj deri në publikimin e këtij shkrimi.
Megjithatë, zëvendëskryeministrja Albana Koçiu dënoi përmes rrjeteve sociale dhunën ndaj institucioneve, sulmet ndaj policisë dhe dëmtimin e pronës publike.
Ajo theksoi se dhuna nuk është mënyrë për të shprehur pakënaqësinë, por nuk iu përgjigj drejtpërdrejt kërkesës politike të protestuesve për largimin e qeverisë.
“Pamjet e dhunës, flakëve dhe përplasjeve në Tiranë, na kujtojnë se sa e brishtë është vija që ndan protestën paqësore nga kaosi”, shkroi ajo në Facebook.
Kjo është dita e dytë e protestës që përshkallëzon në dhunë.
Pas protestës së martës, studentët kishin bërë thirrje për bojkot të mësimit të mërkurën dhe vazhdimin e tubimeve, duke synuar përfshirjen e studentëve edhe nga qytete të tjera të Shqipërisë.
Organizatorët i janë referuar protestave studentore të vitit 2018, duke argumentuar se kërkesat e asaj kohe nuk janë përmbushur plotësisht.
Në dhjetor të vitit 2018, mijëra studentë protestuan kundër tarifave të larta universitare, kostove të provimeve të mbartura dhe kushteve të dobëta të jetesës në konvikte, duke paraqitur tetë kërkesa për reformimin e arsimit të lartë.
Qeveria mori disa masa, përfshirë uljen e tarifave, por pakënaqësitë lidhur me financimin e universiteteve, cilësinë e arsimit dhe përfaqësimin e studentëve vazhduan.
Tetë vjet më vonë, protesta e re ka shkuar përtej kërkesave arsimore, duke vënë në qendër përgjegjësinë politike të qeverisë.
