Lajme

​Tahiri propozon për Komisionin për Legjislacion: Ligjin për Deputetët, monitorimin e gjykatave dhe një gjykatë kundër korrupsionit

Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës, Besnik Tahiri, ka paraqitur tri propozime në Komisionin për Legjislacion, duke kërkuar që ato të përfshihen në planin e punës së këtij komisioni parlamentar.

Tahiri ka propozuar monitorimin e zbatimit të ligjeve për Gjykatën Komerciale dhe Gjykatën Administrative, me qëllim të vlerësimit të rezultateve, sfidave dhe ndikimit të këtyre institucioneve në efikasitetin e sistemit të drejtësisë.

Propozimi i dytë ka të bëjë me nisjen e hartimit të Ligjit për Deputetët, i cili do të përcaktonte më qartë të drejtat, detyrimet dhe përgjegjësitë e deputetëve, si dhe statusin dhe përfitimet e tyre gjatë dhe pas përfundimit të mandatit.

Ndërkaq, propozimi i tretë lidhet me shqyrtimin e mundësisë për themelimin e një gjykate të specializuar në luftën kundër korrupsionit. Për këtë çështje, Tahiri ka sugjeruar që Komisioni të realizojë një vizitë studimore në SPAK dhe në Kuvendin e Shqipërisë, për t’u njohur nga afër me përvojën shqiptare, procesin e themelimit të institucionit, sfidat dhe mundësitë që ofron ky model.

Në postimin e tij në Facebook, Tahiri ka theksuar se këto tri çështje kanë rëndësi të veçantë për forcimin e sundimit të ligjit, rritjen e efikasitetit të drejtësisë dhe avancimin e integritetit e llogaridhënies institucionale.

Të Ngjashme