Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ismail Dibrani, ka takuar drejtuesit e Zyrës së Këshillit të Evropës në Prishtinë, të udhëhequr nga shefja e kësaj zyre, Mary Ann Hennessey.
Dibrani ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për bashkëpunimin dhe avancimin e sistemit korrektues në Kosovë.
Sipas tij, ky partneritet ndër vite ka dhënë rezultate në fuqizimin e kapaciteteve profesionale, rehabilitimin dhe riintegrimin, si dhe në avancimin e respektimit të të drejtave të njeriut.
“Takime të tilla janë të rëndësishme për të vlerësuar progresin e arritur dhe për të përcaktuar hapat e ardhshëm drejt standardeve më të larta evropiane”, ka thënë Dibrani.
Ai ka shprehur mirënjohje për mbështetjen dhe ekspertizën e vazhdueshme të Këshillit të Evropës.
“Vazhdojmë me përkushtim drejt një sistemi korrektues modern, profesional dhe të bazuar në dinjitetin njerëzor”, ka deklaruar Dibrani.
