Ministri në detyrë i Infrastrukturës, Dimal Basha, ka njoftuar nënshkrimin e Memorandumit të Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Universiteti i Prishtinës.
Sipas Bashës, memorandumi synon forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe botës akademike, duke krijuar mundësi që studentët, stafi akademik dhe ekspertët e universitetit të përfshihen në realizimin e projekteve të ministrisë.
“Nënshkruam Memorandumin e Bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Infrastrukturës dhe Universitetit të Prishtinës. Me këtë memorandum hapëm rrugën për forcimin e bashkëpunimit ndërmjet institucioneve publike dhe botës akademike”, ka shkruar Basha.
Ai theksoi se dija, përvoja dhe potenciali profesional që ofron universiteti do të shërbejnë për avancimin e politikave dhe projekteve infrastrukturore në interes të qytetarëve.
Basha falënderoi rektorin e Universitetit të Prishtinës, Arben Hajrullahu, si dhe drejtoreshën e QILT-it, Arta Basha-Jakupi, për bashkëpunimin dhe angazhimin e tyre në këtë proces.
Sipas ministrit në detyrë, ky memorandum përbën një hap të rëndësishëm drejt lidhjes më të ngushtë të institucioneve shtetërore me komunitetin akademik, me synim zhvillimin e projekteve infrastrukturore të mbështetura në ekspertizë profesionale dhe kërkim shkencor.
