Ministri në detyrë i Infrastrukturës dhe Transportit, Dimal Basha, ka reaguar pas debatit të krijuar në lidhje me aksidentin tragjik në autostradën “Ibrahim Rugova”, duke mohuar pretendimet se ngjarja lidhet me praninë e dheut në rrugë.
Basha tha se kontratat e nënshkruara nga ministria kanë të bëjnë me sanimin e plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës, e jo vetëm me largimin e dheut, siç është raportuar dhe pretenduar nga kundërshtarët politikë.
Sipas tij, në momentin kur ndodhi aksidenti fatal gjatë fundjavës, autostrada kishte qenë e pastruar nga dheu.
Postimi:
REAGIM
Ministria sot ka njoftuar se ka nënshkruar kontrata për sanimin e plotë të skarpatave në autostradën “Ibrahim Rugova”.
Pra nuk bëhet fjalë për “heqje dheu”, siç po manipulon Kryetari Rama dhe siç është raportuar në disa portale, por për projekte të sanimit të plotë të skarpatave në tri segmente të autostradës.
Një ligësi tjetër është manipulimi me aksidentin që ndodhi gjatë vikendit. Siç është e njohur për publikun, autostrada ka qenë e pastruar nga dheu në momentin kur ka ndodhur aksidenti tragjik. Ne po presim raportin zyrtar të Policisë së Kosovës dhe refuzojmë të bëhemi pjesë e manipulimeve politike që tentojnë të përfitojnë nga tragjeditë njerëzore.
Familjes të së ndjerës i shpreh ngushëllimet më të sinqerta. Na vjen keq që, përveç dhimbjes që ka shkaktuar ky aksident, Kryetari Rama dhe disa të tjerë po përpiqen të nxjerrin përfitime politike nga kjo tragjedi.
Por nga mashtruesit dhe manipuluesit nuk pritet më shumë. Qytetarët i njohin mirë dhe këtë po e dëshmojnë me votë në çdo palë zgjedhje.
