Protesta e 94-të kundër qeverisë është shoqëruar këtë të martë me tensione të forta dhe përplasje fizike mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit.
Ndryshe nga protestat e mëparshme, qytetarët ndryshuan skenarin dhe tentuan të rrethojnë godinën e Kryeministrisë, duke u zhvendosur edhe pas saj, pranë hyrjes kryesore.
Protestuesit u nisën nga sheshi “Skënderbej” dhe, pasi mbërritën pranë Kryeministrisë, nuk u kufizuan vetëm te zona përballë godinës.
Një pjesë e tyre vijoi drejt rrugicës “Ismail Qemali”, me synimin për të bllokuar hyrjet dhe daljet e Kryeministrisë.
Në fokus u vu hyrja kryesore e godinës, ku futet dhe del eskorta e kryeministrit Edi Rama dhe zyrtarëve të tjerë.
Protestuesit tentuan të çanin kordonin e policisë dhe të afroheshin drejt ambienteve të Kryeministrisë, ndërsa efektivët krijuan një barrierë për të ndaluar avancimin e tyre.
Gjatë përplasjeve pati konfrontime fizike mes qytetarëve dhe efektivëve. Në terren u dislokuan forca të shumta të Policisë së Shtetit dhe të FNSH-së, ndërsa pranë godinës mbërriti edhe autoboti i ujit, në gatishmëri për përshkallëzim të mëtejshëm të situatës.
Më pas, sipas raportimeve nga mediat shqiptare, uji është përdorur në drejtim të protestuesve, ndërsa qytetarët vijuan rezistencën përballë kordonit të policisë.
Situata u përshkallëzua më tej kur protestuesit tentuan të avanconin drejt godinës.
Një prej tyre është shoqëruar nga policia, në një prej momenteve të tensionit përpara Kryeministrisë.
Pas përplasjeve, protestuesit u ulën në shesh, ndërsa vijuan thirrjet kundër qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama.
Ndër sloganet e dëgjuara ishin “Arrestoni Ramën!”, “Ju erdhi fundi!” dhe akuza ndaj Policisë së Shtetit.
Protesta e sotme shënon ditën e 94-të të mobilizimit qytetar. Kërkesa kryesore e protestuesve vijon të jetë dorëheqja e kryeministrit Edi Rama, ndërsa në kërkesat e tyre përfshihen edhe ndryshimi i klasës politike dhe krijimi i një qeverie tranzitore me mandat 12-mujor, që sipas tyre duhet të përgatisë vendin për zgjedhjet e ardhshme.
Por zhvillimi më i rëndësishëm i mbrëmjes ishte ndryshimi i skenarit të protestës.
Për herë të parë në këtë seri tubimesh, protestuesit nuk qëndruan vetëm në sheshin përballë Kryeministrisë, por u zhvendosën në disa pika rreth godinës dhe tentuan të bllokonin hyrjet e saj, duke sjellë përballjen e drejtpërdrejtë me forcat e rendit.
Situata mbetet e tensionuar, ndërsa forcat e Policisë dhe FNSH-së vijojnë të qëndrojnë në gatishmëri rreth Kryeministrisë. Nuk ka ende një bilanc zyrtar për persona të lënduar nga përplasjet.
