Lajme

Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian, Kurti: Kosova është ndërtuar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka njoftuar se kanë shënuar Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian.

Përmes, një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, Kurti ka shkruar se në çdo hap të rrugëtimit tonë shtetndërtues, nga përpjekjet e hershme për liri e shpallja e pavarësisë e deri te funksionimi i institucioneve demokratike, komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë.

Kosova është ndërtuar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu. Në themel të Republikës sonë demokratike, janë të drejtat e njeriut, të cilat i bëjnë bashkë barazinë dhe universalitetin. Këto parime nuk janë vetëm pjesë e Kushtetutës, ato janë themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen tonë. Prandaj, edhe dedikimi ynë për të garantuar të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe përfaqësim dinjitoz për të gjitha komunitetet, pa dyshim që mbetet i palëkundur”, ka thënë Kurti.

Postimi i tij i plotë:

Në Ballkonin e Hapur, shënuam Ditën Memoriale të Komunitetit Egjiptian!

Në çdo hap të rrugëtimit tonë shtetndërtues, nga përpjekjet e hershme për liri e shpallja e pavarësisë e deri te funksionimi i institucioneve demokratike, komuniteti egjiptian ka qenë pjesë e pandarë e historisë sonë. Për këtë, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, ju shpreh mirënjohjen time më të thellë.

Ditët e tilla janë më emocionuese se ditët festive dhe janë më të veçanta se ditët e zakonshme. Ato janë rikujtim për rrugëtimin dhe ritheksimin për rëndësinë e rolin e komunitetit egjiptian, për komunitetin, i cili ka ecur mes kohëve, mes stuhive dhe nuk ka lejuar kurrë që ta humbasë drejtimin.

Kosova është ndërtuar mbi parimet e lirisë, barazisë dhe respektit për dinjitetin e çdo njeriu. Në themel të Republikës sonë demokratike, janë të drejtat e njeriut, të cilat i bëjnë bashkë barazinë dhe universalitetin. Këto parime nuk janë vetëm pjesë e Kushtetutës, ato janë themeli mbi të cilin ndërtojmë të ardhmen tonë. Prandaj, edhe dedikimi ynë për të garantuar të drejta të barabarta, mundësi të barabarta dhe përfaqësim dinjitoz për të gjitha komunitetet, pa dyshim që mbetet i palëkundur.

Për t’i dhënë kuptimin e plotë kësaj dite, ne duhet të bashkëjetojmë, të bashkëqeverisim dhe të bashkëveprojmë në secilën ditë të vitit, duke dëshmuar se Kosova është shtëpia e përbashkët e të gjithë qytetarëve të saj dhe se secili prej nesh ka vend të barabartë në të ardhmen, të cilën po ndërtojmë së bashku.

Urime Dita Memoriale e Komunitetit Egjiptian!

Të Ngjashme