Aktuale

“Do të ketë dhe pandemi të tjera”/ Imunologu me Nobel: Ja kur do të jetë gati vaksina për hantavirusin

“Nuk ka arsye për panik dhe aktualisht nuk ndodhemi përballë një pandemie të re.” Kështu është shprehur Drew Weissman, imunologu fitues i Çmimit Nobel në Mjekësi për vitin 2023, lidhur me shqetësimet e krijuara pas rasteve të fundit të hantavirusit të raportuara në një anije turistike në Oqeanin Atlantik.

Në një intervistë për gazetën italiane La Stampa, Weissman sqaroi se edhe pse hantavirusi mund të transmetohet nga njeriu te njeriu, ai nuk përhapet me të njëjtën shpejtësi dhe agresivitet si Covid-19.

“Transmetimi ekziston, por është shumë më i kufizuar dhe më pak efikas,” theksoi ai, duke shtuar se situata deri tani konsiderohet nën kontroll.

Sipas shkencëtarit amerikan, autoritetet shëndetësore duhet të vazhdojnë monitorimin dhe vigjilencën, ndërsa puna për zhvillimin e vaksinave po vijon në laboratorë. Ai bëri të ditur se vaksinat potenciale kundër hantavirusit ekzistojnë në fazë kërkimore, por do të nevojiten edhe disa muaj përpara se ato të mund të përdoren gjerësisht.

Weissman paralajmëroi se pandemi të tjera globale janë të pashmangshme në të ardhmen, duke kujtuar se bota ka kaluar disa epidemi të mëdha vetëm gjatë dekadave të fundit.

Sipas tij, problemi kryesor nuk është vetëm shfaqja e viruseve të reja, por mungesa e përgatitjes së mjaftueshme për t’u përballur me to.

“Investimi në kërkim shkencor dhe zhvillimi i hershëm i vaksinave janë çelësi për të parandaluar krizat e ardhshme,” u shpreh ai, duke nënvizuar se të kesh një vaksinë gati mund të bëjë diferencën mes kontrollit të një shpërthimi dhe përhapjes masive të tij.

Edhe Organizata Botërore e Shëndetësisë ka deklaruar se situata po monitorohet nga afër dhe se, për momentin, nuk ka shenja që tregojnë rrezik për një pandemi globale.

Megjithatë, rastet e raportuara në disa vende kanë shtyrë autoritetet shëndetësore të intensifikojnë hetimet dhe masat parandaluese për të kufizuar përhapjen e virusit.

Të Ngjashme