Lajme

Dogana e Kosovës sqaron rregullat dhe kushtet për përfaqësimin doganor

Dogana e Kosovës ka njoftuar se çdo person ka të drejtë të caktojë një përfaqësues doganor për të vepruar në emër dhe për llogari të tij gjatë procedurave doganore.

Sipas njoftimit, përfaqësimi doganor mund të jetë i drejtpërdrejtë ose i tërthortë.

Përfaqësimi është i drejtpërdrejtë kur përfaqësuesi vepron në emër dhe për llogari të një personi tjetër, ndërsa është i tërthortë kur përfaqësuesi vepron në emër të tij, por për llogari të një personi tjetër.

Dogana ka bërë të ditur se përfaqësuesi doganor duhet të jetë i vendosur në territorin doganor të Republikës së Kosovës, përveç rasteve të caktuara të përcaktuara me akt nënligjor.

Sipas Doganës, për t’u autorizuar, përfaqësuesi doganor duhet të jetë i regjistruar për ushtrimin e veprimtarisë biznesore, të mos ketë detyrime doganore dhe tatimore të papaguara dhe të dëshmojë integritet profesional.

Dogana e Kosovës ka theksuar se vazhdon të informojë qytetarët dhe bizneset për procedurat dhe kërkesat doganore, me qëllim të rritjes së transparencës dhe respektimit të legjislacionit në fuqi. 

Të Ngjashme